AKTUALITET /

Përplasje në gjyqin ndaj Ilir Metës, rrëzohet kërkesa për transmetim live të seancës

Gjykata refuzoi kërkesën e mbrojtjes dhe të Monika Kryemadhit për transmetimin live të procesit, ndërsa sot pritet vendimi për gjykimin e shkurtuar të disa prej të pandehurve

Shkruar nga Versus

Përplasje në gjyqin ndaj Ilir Metës, rrëzohet kërkesa

Seanca e dytë në themel ndaj Ilir Meta është shoqëruar me debate në sallën e gjyqit, pasi mbrojtja kërkoi që procesi të transmetohej live për mediat dhe publikun. Kërkesa, e mbështetur edhe nga Monika Kryemadhi, u rrëzua nga gjykata me argumentin se transmetimi i drejtpërdrejtë do të krijonte presion publik dhe mediatik mbi procesin.

“Ky intimidim dhe linçim që më është bërë mua dhe ish-burrit tim duhet të jetë i hapur, që shqiptarët të shohin provat”, është shprehur Kryemadhi gjatë seancës.

Edhe avokati i Metës, Kujtim Çakrani, kundërshtoi vendimin e gjykatës, duke deklaruar se nuk ekziston asnjë bazë ligjore për ndalimin e transmetimit live të mediave.

“Ky është procesi i vitit. Mediat duhet ta transmetojnë live. Nuk keni asnjë bazë ligjore të ndërprisni transmetimin live”, u shpreh ai.

Gjatë seancës, Monika Kryemadhi kërkoi gjithashtu që t’i vihen në dispozicion të gjitha përgjimet ambientale dhe telefonike të kryera nga prokuroria. Ndërkohë, mbrojtja e Fatime Kryemadhit i kërkoi gjykatës të shprehet lidhur me kërkesën për përfitimin e gjykimit të shkurtuar.

Përveç Fatime Kryemadhit, kërkesë për gjykim të shkurtuar kanë paraqitur edhe Ema Çoku dhe Pirro Xhixho.

Në sallën e gjyqit ishte i pranishëm edhe Ilir Meta, i cili qëndroi brenda kafazit të qelqtë të sigurisë. Në seancë morën pjesë gjithashtu Monika Kryemadhi dhe Ema Çoku, ndërsa Pirro Xhixho dhe Fatime Kryemadhi u përfaqësuan nga avokatët e tyre mbrojtës.

Ish-presidenti është fotografuar duke komunikuar me shenja me mediat, për shkak të vështirësisë së komunikimit nga kafazi i sigurisë. Në mbështetje të tij, në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe eksponentë të Partia Demokratike.

SPAK ka marrë të pandehur Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë, në lidhje me çështjen CEZ-DIA dhe lobimin e ish-LSI-së në SHBA.

Sot pritet që gjykata të vendosë nëse do të pranojë kërkesat për gjykim të shkurtuar të tre të pandehurve të tjerë në dosje.

Poll