Në Gjykatën e Posaçme ka nisur seanca e dytë në themel për ish-presidentin Ilir Meta, ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi dhe 3 të pandehurit e tjerë për dosjen e aferës CEZ-DIA dhe lobimin në SHBA për ish-LSI.
Pavarësisht mungesës së Fatime Kryemadhit dhe Pirro Xhixhos, seanca vijoi me praninë e avokatëve të tyre.
Mediat nuk u lejuan të qëndronin përgjatë seancës, por vetëm në momentet e para. Kreu i PL, Ilir Meta u shfaq brenda kafazit prej xhami nga ku përshëndeti mediat duke bërë shqiponjën me duar.
Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku janë të pandehurit që kanë kërkuar gjykim të shkurtuar. Ndërsa Meta dhe Kryemadhi kanë kërkuar gjykim me procedurë të zakonshme.
Të dy akuzohen për të njëjtat vepra penale, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Ish-çifti ka mohuar akuzat lidhur me dosjen në ngarkim të tyre duke e konsideruar procesin gjyqësor si tejet politik të drejtuar nga vetë kryeministri Edi Rama. Në seancën e kaluar ku u shfaq për herë të parë Ilir Meta pas mbi 1 viti e gjysmë paraburgim, pati shqetësime lidhur me shëndetin e tij për shkak të ndryshimit drastik në pamje. Versus.al


