Për herë të parë që prej tetorit të 2024-ës kur u arrestua, ish-presidenti Ilir Meta është shfaqur në publik teksa Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e tij për transmetim “live” nga mediat të gjyqit në themel që nisi sot pas 7 muajsh në seancë paraprake.
Që në nisje të gjyqit ku hyri duke bërë shqiponjën me duar, Meta i cili vërehet dukshëm me disa ndryshime në pamje që prej herës së fundit që është parë në publik, përsëriti akuzat e tij për manipulim të procesit hetimor ndaj tij.
“Proces i montuar me shpifës dhe kallëzues të rremë kundër shtetit dhe jo kundër meje”- u shpreh Meta. Ndërsa avokati i tij Kujtim Cakrani e cilësoi të papranueshëm faktin që kreu i Partisë së Lirisë mbahet në një kafaz prej xhami.
Të pranishëm në seancë janë edhe të pandehurit e tjerë të dosjes për aferën CEZ-DIA dhe lobimin për ish-LSI në SHBA, Monika Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku. Meta dhe ish-bashkëshortja e tij Kryemadhi akuzohen për pastrim parash, korrupsion dhe fshehje pasurie. Mungon në sallë e ëma e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi e cila akuzohet për pastrim parash. Versus.al

