Policia e Durrësit ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dy persona të dyshuar për përfshirje në atentatin ndaj 29-vjeçarit Ermir Dedja, i cili u ekzekutua mbrëmjen e së hënës.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije për mediat se hetimet po avancojnë dhe janë në rrugë të mbarë drejt zbardhjes së plotë të ngjarjes. Të njëjtat burime konfirmojnë se dy personat e shpallur në kërkim nuk janë autorët e drejtpërdrejtë të krimit, por individë që kanë ndihmuar në ngritjen e infrastrukturës së atentatit.
Dy të kërkuarit dyshohet se kanë siguruar automjetin e përdorur nga ekzekutorët dhe kanë bashkëpunuar ngushtë me ta për realizimin e vrasjes. Ekzekutorët dyshohet të kenë qenë dy persona të ndryshëm, ende të paidentifikuar.
Ndërkohë, ekspertët e kriminalistikës kanë sekuestruar prova materiale në vendngjarje, të cilat janë dërguar për analizë në laboratorin shkencor, dhe pritet të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.
Sipas burimeve hetimore, Dedja ishte një emër i njohur për policinë dhe ishte i përfshirë në disa aktivitete kriminale gjatë viteve të fundit. Kjo e ka shtyrë policinë të trajtojë disa pista hetimi, përfshirë hakmarrjen apo përplasjet për prishje pazari në botën e krimit.
Viktima u qëllua për vdekje me një plumb në gjoks, teksa ndodhej në shoqërinë e dy personave të tjerë. Plumbi rezultoi fatal, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Versus.al
Pamje nga vrasja e Ermir Dedjas
View this post on Instagram







