AKTUALITET /

Pjesë e listës së gjatë të zyrtarëve të regjistruar në zyrën e Agasit, Karçanaj: E njoha në administratë, s’kam përgjegjësi penale

Shkruar nga Versus

Pjesë e listës së gjatë të zyrtarëve të

Ish-drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ka komentuar publikisht episodet e publikuara në media nga dosja e Prokurorisë së Posaçme, duke lënë të kuptohet se situata ka sjellë pasoja të rënda edhe për familjen e saj.

E ftuar në Top Story, Karçanaj deklaroi se materialet e publikuara nga zyra e biznesmenit Ergys Agasi janë të fragmentarizuara dhe të shkëputura nga konteksti.

“Damkat mund të jenë dhe fatale për një familje”, u shpreh ish-drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Ajo foli edhe për njohjen me biznesmenin e kërkuar nga SPAK, duke sqaruar se marrëdhënia me të ka qenë institucionale dhe korrekte që nga koha kur ai ushtronte funksione në administratën publike.

“Ergys Agasin unë e kam njohur në kohën kur ai ka qenë funksionar në Administratën Publike. Marrëdhënia me të ka qenë si me çdo zyrtar, korrekte dhe asgjë më shumë. Në punë duhet të kesh kontakte, por këto kontakte nuk mund të shndërrohen në përgjegjësi penale”, deklaroi ajo.

Gjatë intervistës, Karçanaj theksoi se përgjegjësia është individuale dhe se i takon SPAK-ut të provojë nëse ka pasur shkelje apo favorizime në AKSHI.

“Patjetër që mund të ketë faj, nuk më takon mua ta them këtë. I takon akuzës që të hetojë duke analizuar të gjitha provat dhe dokumentet dhe më pas të dalë në përfundimin nëse ka apo nuk ka faj”, tha ajo.

Karçanaj shtoi se gjatë drejtimit të AKSHI-t fokusi i saj ka qenë zhvillimi teknologjik dhe jo procedurat administrative të tenderave, për të cilat tha se kompetencat ishin deleguar.

“Jam inxhiniere e Informatikës dhe fokusi im nuk ka qenë të merrem me procedurat administrative, por të ndjek zhvillimet teknologjike. Përsa i përket prokurimeve, unë nuk jam marrë me të përditshmen, por kam deleguar kompetencat. Stafi ka zbatuar rregullat”, u shpreh ajo./Versus.al

Poll