AKTUALITET /

Plagjiatura si krim i organizuar? Taulant Muka çon në SPAK emrat e 50 profesorëve dhe figurave institucionale

Ai kërkon nga SPAK që këta zyrtarë të hetohen për përfshirje në një “grup të strukturuar kriminal” në arsimin e lartë shqiptar.

Shkruar nga Versus

 

Plagjiatura si krim i organizuar? Taulant Muka çon në SPAK emrat e

Pedagogu dhe ish-zv.ministri i Arsimit, Taulant Muka, ka ndërmarrë një hap të paprecedent këtë të hënë, duke dorëzuar pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) një dosje me mbi 400 faqe, e cila ngre akuza të rënda për plagjiaturë dhe shkelje të rënda akademike ndaj figurave të larta shtetërore dhe akademike në Shqipëri.

Sipas vetë Mukës, në dosje janë përfshirë emrat e rektorit të Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, mbi 50 profesorë të tjerë të këtij institucioni, ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu, Presidenti i Republikës Bajram Begaj dhe Avokatja e Popullit Erinda Ballanca. Ai kërkon nga SPAK që këta zyrtarë të hetohen për përfshirje në një “grup të strukturuar kriminal” në arsimin e lartë shqiptar.

Në një reagim publik përmes Facebook-ut, Muka shkruan:

Dita e parë në Tiranë. Sapo depozitova dosjen me mbi 400 faqe në SPAK mbi plagjiaturën për rektorin e UT dhe mbi 50 profesorë në UT, Ministren e Arsimit, Presidentin dhe Avokaten e Popullit, me kërkesën për hetim për një grup të strukturuar kriminal në arsimin e lartë. Tani fjala i mbetet drejtësisë nëse do vendosë standarde për arsimin dhe shkencën shqiptare!

Ky zhvillim vjen në një kohë kur besimi publik ndaj sistemit arsimor dhe integritetit të diplomave universitare në vend është në nivele të ulëta. Nëse akuzat e ngritura do të konfirmohen nga drejtësia, kjo mund të çojë drejt një ndërhyrjeje të thellë në sistemin e arsimit të lartë dhe në mënyrën si funksionojnë institucionet akademike dhe politike të lidhura me të.

Ndërkohë, asnjë nga zyrtarët e përmendur nuk ka reaguar ende publikisht për këtë denoncim, ndërsa SPAK nuk ka dhënë informacion nëse ka nisur apo jo hetimet paraprake mbi këtë dosje. /Versus.al

Poll