Policia ka arrestuar Alban Domin, i dyshuar se ishte drejtuesi i automjetit nga ku kushëriri i tij, E. D., hapi zjarr pas një konflikti për parakalim në autostradën Durrës–Tiranë.
Uniformat blu bëjnë me dije se vijon puna për kapjen e autorit të shpallur në kërkim.
Nga të shtënat u plagos një 35-vjeçar, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera në lidhje me ngjarjen e datës 03.08.2025, në autostradën “Durrës-Tiranë”, ku u qëllua me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte shtetasi L. Sh., ndaluan shtetasin A. D., 46 vjeç, banues në fshatin Xhafzotaj (kushëri i të shpallurit në kërkim), pasi dyshohet se drejtonte automjetin nga ku qëlloi me armë zjarri, shtetasi E. D. Punohet intensivisht për dokumentimin e përgjegjësisë penale të shtetasit A. D., si dhe për kapjen e shtetasit E. D, i shpallur në kërkim”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme./Versus.al






