Ka marrë formë të prerë, vendimi i dënimit me 7 vite burgim për Arbër Paplekaj, personi që u përfshi në ngjarjen e rëndë të muajin Prill 2021, i cili vrau me pistoletë militantin e Partisë Socialiste, Pjerin Xhuvanin, i cili njihet në Elbasan si “Pipi”.
Prokuroria e Apelit në Tiranë, nga dhjetori 2024 kur është zbardhur vendimi, deri në këtë fazë nuk ka ushtruar Rekurs pranë Gjykatës së Lartë, duke çuar në pranimin e konkluzionit të nxjerrë nga Gjykata, e cila vendosi të ndryshojë akuzën për Papleksaj, duke sjellë dënimin e tij me 7 vite burgim për veprën penale të “Vrasjes së kryer në kushtet e tronditjes së fortë psikike”
Ndërsa Gjykata e Elbasanit kishte dënuar Paplekaj me 22 vite burgim për akuzën e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”.
Tashmë në fuqi mbetet dënimi me 7 vjet heqje lirie pasi Prokuroria e Apelit nuk ka ushtruar Rekurs në Gjykatën e Lartë, duke bërë që dosja penale kundër Paplekaj të arkivohet në arshivën e Gjykatës së Elbasanit.
Pritet që brenda 1 vite e gjysmë, Arbër Paplekaj të lirohet nga burgu.
Në vendimin e argumentuar, treshja e gjyqtarëve të Apelit thonë se:”...provohet se i pandehuri në momentin e kryerjes së veprës penale ka qenë në kushtet e tronditjes psikike, e cila është shkaktuar nga dhuna dhe fyerja e rëndë e viktimës (Pjerin Xhuvani). Tronditja psikike, ka lindur për shkak të veprimeve të padrejta të viktimës në mënyrë të atë çast dhe të përkohshme...”.
Më tej në vendim thuhet se:”...gjatë kohëzgjatjes së kësaj gjendje i pandehuri nuk ka pasur kontroll të plotë të veprimeve të tij, pasi vetëdija e tij është errësuar dhe ka mbizotëruar efekti fiziologjik i shkaktuar si pasojë e veprimeve të viktimës (Pjerin Xhuvani)...”
Këto argumente gjykata e Apelit Tiranë i mbështet mbi një ekspertim psikiatriko-ligjor të kryer ndaj të pandehurit Arbër Paplekaj, ku psikologët kanë arritur në përfundimin se Paplekaj në momentin e kryerjes së veprës penale ka qenë në gjendje të efektit të gjendjes emocionale jashtëzakonisht të fortë.
Ky akt-ekspertimi nuk është marrë i besueshëm nga gjykata e Elbasanit, ndërsa nga Apeli i Tiranës u trajtuar si i besueshëm dhe i domosdoshëm për ndryshimin e akuzës ndaj Paplekaj.
Ekspertimi psikologjik ndaj Paplekaj thotë se: “...kjo gjendje ka lindur papritur dhe vepruar për disa çaste, duke dobësuar veprimtarinë e vetëdijshme intelektuale dhe aftësitë e vetëkontrollit, por pa i humbur ato...”.
Por për të qenë më bindës, Gjykata e Apelit Tiranë i është referuar dhe jurisprudencës së Gjykatës së Lartë, e cila jep një shpjegim mbi verifikimin e afektit psikologjik lidhur me veprën penale të “Vrasjes së kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”.
Dhe sipas shpjegimit të Gjykatës së Lartë tronditja e fortë psikike është efekt fiziologjik shumë i fortë, që lind në mënyrë të menjëhershme, të rrufeshme, si pasojë e shkakut provokues, zgjat pak çaste dhe më pas kalon.
Gjatë kohëzgjatjes së kësaj gjendjeje, personi konkret nuk ka kontrollin e plotë të veprimeve të tij, pasi vetëdija e tij tjetërsohet duke mbizotëruar efekti.
Më tej Gjykata e Apelit shprehet në vendimin e saj se nga pamjet filmike dhe dëshmitë e dëshmitarëve të pyetur në gjykim, provohet se i pandehuri është sulmuar nga një grup personash mbi 20 të tillë, të cilët kanë ardhur në mënyrë të papritur në vendngjarje me disa automjete, të organizuar dhe të planifikuar, ku si drejtues i grupit identifikohej, viktima Pjerin Xhuvani.
“...nga ana e viktimës, i ndjekur nga personat e tjerë, midis tyre edhe Eltjon Bodinaku dhe Luan Tabaku, janë ndërmarrë veprime të dhunës dhe fyerjes së rëndë ndaj të pandehurit Paplekaj, duke fyer dhe sharë në drejtim të familjarëve të tij. Provohet se viktima, i ndjeri Pjerin Xhuvani, i ndjekur nga persona të tjerë, shtyn me duar dhe ndjek e veçon të pandehurin Arbër Paplekaj...”, thuhet në vendimin e arsyetuar.
Provohet gjithashtu se e gjithë ngjarja nga momenti kur ka ardhur grupi i njerëzve me makina, deri tek goditjet me armë, është zhvilluar në një periudhë shumë të shkurtër kohore, prej disa sekonda.
Gjithashtu nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe aktet e ekspertimit të realizuara në hetim, si dhe akti i ekspertimit të administruar si provë nga përsëritja e shqyrtimit gjyqësor nga gjykata e apelit, provohet se në vendngjarje ka pasur edhe 2 qitës të tjerë, të cilët kanë qëlluar dhe nuk janë identifikuar ende nga prokuroria.
“...provohet se njëri prej këtyre dy qitësve, ka qenë në distancë të afërt jo më tepër se 1 metër, me viktimën Pjerin Xhuvani në teshat e të cilit janë gjetur faktorë plotësues të qitjes. Këta faktorë plotësues janë gjetur edhe në teshat e Eltion Bodinaku dhe Emiljan Prenga të ndodhur shumë pranë viktimës Pjerin Xhuvani...”, shprehet Gjykata e Apelit Tiranë.
E njëjta gjykatë rrëzoi dënimin për punonjësit e policisë së Elbasanit, duke deklaruar të pafajshëm Albert Nushin, Nikollaq Pallan, Dedjon Durakun, Pëllumb Biçakun, Erjon Ballën, Erjon Meçjan, Donald Dedjan dhe Besmir Kadiun./Ora








