Prokuroria e Tiranës ka udhëruar kryerjen e eksperimentit hetimor për vrasjen e e biznesmenit Eduart Reçi, ngjarje e ndodhur dy ditë më parë në kryeqytet.
Grupi hetimor ka për detyrë përcaktimin e vendit të ngjarjes, gjithashtu gjetjen e armës që është përdorur për vrasjen e viktimës si dhe teknika e përdorur nga qitësi, raporton Top Channel. Të gjitha këto kanë mbetur në hije ndërsa ende nuk është gjenduar as gëzhoja e plumbit që biznesmeni është goditur në kokë.
Eduart Reçi humbi jetën në orët e para të mëngjesit të datës 13 nëntor në zonën e njohur si “Rruga e Elbasanit” në Tiranë. Atentati ndodhi në rugën “Faik Konica”, që ndodhet pranë stadiumit “Arena Kombëtare” ku biznesmeni 52-vjeçar u qëllua me një plumb në kokë dhe fatkeqësisht humbi jetën në Spitalin e Traumës pasi nuk i mbijetoi plagëve të marra.
Nga dyshimet e para thuhej se Reçi është qëlluar nga afër me armë të një kalibri të vogël por nga kamerat e sigurisë në zonë nuk është parë asnjë shenjë e autorëve duke ngritur pistën e re se qitësit mund të kenë operuar nga një distancë e largët.
Burime nga grupi hetimor kanë bërë me dije se qitja është kryer nga një lartësi teksa plumbi i përshkroi tej për tej në kokë. Këtë gjë e ka konfirmuar dhe ekspertiza paraprake, sipas së cilës goditja është bërë nga lartë poshtë.
Pista e re që po ndiqet është se atentatorët e kanë ruajtur viktimën në një prej ndërtesave ngjitur me banesën e tij për një kohë të konsiderueshme kur dhe ai u qëllua për vdekje.
Ndërkohë bashkëshorja e biznesmenit ka thënë së natën e vrasjes ata ishin së bashku në ambjentet e jashtme të shtëpisë së tyre. Në dëshminë e saj, ajo ka deklaruar se në momentin që Eduarti është qëlluar, kanë plasur fishekzjarre. Burimet thonë se fishekzjarret janë përdorur si formë kamoflimi i zhurmës që do të bënte arma e qitjes.
Bashkëshortja e të ndjerit tregon se Reçi ra pa ndenja në tokë në momentin që fishekzjarret shpërthyen ndërsa ajo mendoi se ai u godit nga ciflat e plasjes së tyre. Salla operative ka deklaruar se në njoftim është thënë për një person të gjakosur jo të vrarë, ndërsa ka qenë shërbimi i ambulancës që ka konstatuar plumbin në kokë.
Një plumb i një kalibri të vogël është gjendur në vendin e ngjarjes i cili është dërguar në laborator për tu verifikuar por kjo nuk e përcakton dot llojin e armës që është përdorur në atentat, sepse nuk është gjetur gëzhoja dhe predha e plumbit është pa këmishë. Ndërkohë dyshimet e fundit kanë thënë se 52 vjeçari është qëlluar me armë të llojit pushkë, gjysmë automatike e pajisur me dylbi.







