
Në ditën e 16-të të protestës qytetare që prej javësh zhvillohet në rrugët e Tiranës, blogerja dhe moderatorja Fjoralba Ponari ka ndarë me ndjekësit e saj detaje mbi itinerarin që do të ndjekë marshimi i kësaj mbrëmjeje.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo ka publikuar hartën e lëvizjes së protestuesve, ndërsa bie në sy edhe ndryshimi i mënyrës së organizimit të protestës. Sipas udhëzimeve të shpërndara, marshimi do të zhvillohet i unifikuar, pa ndarje në grupe të veçanta dhe pa devijime të paparashikuara nga rruga e përcaktuar.
Organizatorët kanë vendosur që lëvizja e protestuesve të mbetet brenda perimetrit të Unazës së Tiranës, ndërsa nisja është parashikuar në orën 20:30. Një tjetër kërkesë drejtuar pjesëmarrësve është mbajtja e një korsie të lirë gjatë gjithë kohës, për të garantuar kalimin e mjeteve të emergjencës.
Publikimi i këtij itinerari vjen vetëm një ditë pas episodeve të mbrëmjes së kaluar, kur një grup protestuesish u shkëput nga rrjedha e marshimit dhe u drejtua drejt zonës së Rinas. Aty ata u përballën me një prezencë të shtuar të forcave të policisë, çka duket se ka sjellë edhe nevojën për një organizim më të kontrolluar të protestave në vijim.Versus.al


