AKTUALITET /

Qeveria merr një tjetër vendim për emigrantët në Gjadër! Protokolli do të zbatohet nga një ‘Task Force’

Në krye të Task Forcës do të jetë zëvendësministri i Brendshëm, përgjegjës për çështjet e migracionit, dhe 9 anëtarë të tjerë si më poshtë.

Shkruar nga Versus

Qeveria merr një tjetër vendim për emigrantët në

Në vijim të marrëveshjes së nënshkruar me Italinë për strehimin e emigrantëve në kampin e Gjadrit, Këshilli i Ministrave ka miratuar sot, 19 qershor, ngritjen e një Task Force për zbatimin e protokollit. Kjo Task Forcë, ka për qëllim koordinimin, ndjekjen dhe mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes.
Në krye të Task Forcës do të jetë zëvendësministri i Brendshëm, përgjegjës për çështjet e migracionit, dhe 9 anëtarë të tjerë si më poshtë.

Anëtarët e Task-Forcës
–  Zëvendësministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme;
–Zëvendësministrin e Mbrojtjes;
–  Zëvendësministrin e Financave;
–  Zëvendësministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
–  Zëvendësministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë;
–  Drejtorin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;
– Drejtorin e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit;
–  Drejtorin e Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit;
–  Drejtorin e Departamentit për Shërbimet Mbështetëse, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Task-Forca ka për detyrë të përgatisë një plan veprimi për zbatimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë. Ajo përcakton përgjegjësitë e institucioneve, trajton çështjet që lindin gjatë zbatimit të marrëveshjes, siguron burimet e nevojshme për strukturat e përfshira dhe bashkëpunon me Ambasadën Italiane për kërkesat që lidhen me këtë proces. Kryetari do të raportojë  çdo muaj tek Ministri i Brendshëm për ecurinë e punës.  Task-Forca është funksionale deri në përfundimin e zbatimit të protokollit.

Task-Forca ka si detyrë:
a) të hartojë planin e veprimit, sipas fushave të përgjegjësive të institucioneve të përfshira, si një dokument i vetëm i miratuar;
b) të evidentojë strukturat, përgjegjësitë dhe detyrimet, në rast të situatave të paparashikuara që lindin gjatë zbatimit të protokollit dhe të marrëveshjes zbatuese të tij;
c) të garantojë mbështetjen e strukturave të angazhuara me burimet e nevojshme për përmbushjen e përgjegjësive të tyre, në zbatim të protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, si dhe të marrëveshjes zbatuese të tij;
ç) të trajtojë kërkesat dhe çështjet e përcjella nga Ambasada e Republikës së Italisë në Tiranë nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, që lidhen me zbatimin e protokollit dhe të marrëveshjes zbatuese, si dhe merr vendime, të cilat i përcillen për zbatim strukturave përkatëse, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë.
Task-Forca, kur e vlerëson të nevojshme, fton në mbledhjet e saj ekspertë të jashtëm ose përfaqësues nga organizata, që mbulojnë fushën e institucioneve të përfshira, për çështje që janë jashtë profilit të saj dhe opinioni i tyre bëhet pjesë e vendimmarrjes. Anëtarët e Task-Forcës njoftojnë kryetarin për çdo problematikë dhe vendimmarrje, sipas fushës së përgjegjësisë. Kryetari i Task-Forcës raporton çdo muaj pranë ministrit të Brendshëm për zbatimin e këtij vendimi.

Task-Forca mbështetet nga sekretariati teknik, i përbërë nga përfaqësues të nivelit të mesëm drejtues dhe/ose të lartë drejtues, i cili ka në përbërje:

 a) përfaqësues të Drejtorisë së Politikave të Migracionit, Azilit dhe Antitrafikut, në Ministrinë e Brendshme;

b) përfaqësues të strukturës për rendin dhe sigurinë publike, në Ministrinë e Brendshme;

c) përfaqësues nga Drejtoria Konsullore, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme;

ç)  përfaqësues nga Departamenti i Shërbimeve Mbështetëse, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Detyrat e sekretariatit teknik janë:

 a) organizimi i mbledhjeve të Task-Forcës, në përputhje me procedurat ligjore të njoftimit për mbledhjet e komisioneve të posaçme;

b) përgatitja e relacionit për çështjet në diskutim, si pjesë e dokumentacionit që do të diskutohet, dhe koordinimi me institucionet e përfshira në këtë Task-Forcë;

c) administrimi i dokumenteve të ardhura nga pala italiane dhe paraqitja e tyre Task-Forcës për shqyrtim dhe koordinim të veprimeve të mëtejshme, sipas udhëzimeve të saj;

ç)  mbledhja e të dhënave dhe informacionit të ardhur nga anëtarët;

d) shkëmbimi i informacionit dhe materialeve të mbledhjes midis anëtarëve;

dh) hartimi i materialeve për kryetarin e Task-Forcës;

e) mbajtja dhe administrimi i procesverbalit të mbledhjes.

Fillimisht, kampi i Gjadrit ishte projektuar si një qendër pritjeje për azilkërkuesit e shpëtuar në det, për një periudhë deri në 28 ditë, por me dekretin e ri të qeverisë italiane të drejtuar nga Giorgia Meloni, funksioni i kësaj qendre është zgjeruar.

Tashmë, ajo shërben edhe si qendër ndalimi për emigrantët të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil dhe që pritet të deportohen në vendet e origjinës.

Ndërkohë pala italiane pret vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë lidhur me apelimin e paraqitur nga Gjykata e Romës.

Kjo e fundit ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e transferimit në Shqipëri të emigrantëve të shpëtuar në Mesdhe veçanërisht për rastet që vijnë nga vende të cilat Italia i cilëson si të sigurta, si Egjipti dhe Bangladeshi.

Tags:

kampi gjader

Poll