Mallakastër- Në masivin pyjor të Drenovës është riaktivizuar vatra e zjarrit e cila ishte shuar para disa ditësh. Që prej orës 06:00 të mëngjesit të sotëm ka nisur aksioni për shuarjen e zjarrit në të cilin janë përfshirë 40 trupa të Forcave të Armatosura.
Pjesë e operacionit është bërë edhe helikopteri Cougar, i cili prej më shumë se një ore është duke operuar nga ajri për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit.
Kryebashkiaku i Mallakastrës Qerim Ismailaj e ka cilësuar zjarrin si të shkaktuar nga pakujdesia e fermerëve.
Në vijim të përpjekjeve për menaxhimin e situatës, në terren pritet të mbërrijë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, për të ndjekur nga afër zhvillimet dhe për të koordinuar më tej veprimet emergjente. Versus.al







