
Pas disa ditësh pezullim për shkak të një rasti helmimi me salmonelë, Kopshti Nr.1 në Gramsh ka rifilluar punën. Megjithatë, në ambientet e institucionit janë rikthyer vetëm fëmijët që kanë rezultuar negativë në analizat laboratorike.
Burime për mediat konfirmojnë se kopshti vijon aktivitetin pa shërbim guzhine, pasi ofrimi i drekës është ende i pezulluar si masë sigurie. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bërë të ditur se kontaminimi ka ndodhur brenda ambienteve të institucionit.
Deri më tani, 17 persona – fëmijë dhe anëtarë të stafit – kanë rezultuar pozitivë me bakterin Salmonella Enteritidis. Për 6 raste të tjera, priten ende përgjigjet zyrtare të analizave.
AKU thotë se është duke ndjekur situatën në terren, ndërsa institucioni mbetet nën monitorim të rreptë deri në rikthimin e plotë të kushteve të sigurisë ushqimore. Versus.al







