
Në kuadër të Javës së Internetit të Sigurt, Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik ka publikuar të dhëna shqetësuese mbi rritjen e rasteve të raportuara për shfrytëzim seksual të të miturve në internet.
Sipas statistikave të siguruara në bashkëpunim me NCMEC, gjatë vitit 2025 janë marrë gjithsej 5 707 raporte, ose mesatarisht rreth 475 çdo muaj.
Vetëm në janar 2026 janë administruar 655 raportime, çka tregon një rritje të ndjeshme të fenomenit.
Autoritetet u bëjnë thirrje prindërve dhe kujdestarëve të monitorojnë aktivitetin online të fëmijëve, të komunikojnë hapur me ta për rreziqet e internetit dhe të përdorin masa sigurie në pajisjet elektronike.
Policia thekson gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së privatësisë së të miturve dhe paralajmëron se materialet e papërshtatshme identifikohen nga sistemet e specializuara të partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa të dhënat e personave që i posedojnë apo shpërndajnë u kalohen autoriteteve për ndjekje ligjore.
Institucioni nënvizon se mbrojtja e fëmijëve në hapësirën digjitale është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, familjes dhe komunitetit./Versus.al

