AKTUALITET /

“S’është i besuari im”, Meta për biznesmenin Shatku: Kushëriri i Braimllarit e ka takuar 100 herë! S’di gjë për lobim në SHBA

Shkruar nga Versus
“S’është i besuari im”, Meta për biznesmenin
Biznesmeni Adrian Shatku, Ilir Meta, Monika Kryemadhi

Në parashtrimet e bëra nga avokati mbrojtës i Ilir Metës e gjithë përgjegjësia sa i takon lidhjeve me biznesmenin Adrian Shatku, i hidhet ish-bashkëshortes së kreut të PL, Monika Kryemadhit.

Sipas argumenteve kundër pretendimit të SPAK, në mbrojtje të Metës thuhet se ky i fundit e ka respektuar Shatkun si kushëri të gruas së tij Monika Kryemadhit, por nuk ka patur dijeni për ndonjë aktivitet të paligjshëm të kryer prej tij.

Pjesë nga pretendimet e mbrojtjes së Metës:

Mbrojtja: Edhe njëherë theksojmë se përpjekjet e akuzës për të “provuar” nga gjetjet në celularin e Znj. Monika Kryemadhi  se personat në hetim, Metaj-Kryemadhi, kanë përfituar % të fitimit nga kompania UNIFI Holding Inc, nga marrëveshja e interkoneksionit me Vodafone, janë sa të pabazuara aq edhe kontradiktore.

Prokuroria:  “Ky fakt rezulton nga komunikimet që Monika ka me Shatkun ku i drejtohet me shprehjet “ne” “leja Dhorit dhe të miat”. Është e qartë se nëse kjo bisedë është e vërtetë , ajo me “ne” nënkupton veten e saj me kushëririn e saj Adrian Shatku. Ashtu sikurse pjesa e dytë, nëse është e vërtetë , “të miat” nënkupton interesat e saj dhe kjo nuk provon aspak as përfshirjen e Ilir Metës në këtë marrëdhënie përqindjesh të pretenduara dhe as pasjen prej tij dijeni të një marrëdhënie të tillë (si edhe në rastin e kartave).

Prokuroria: “Adrian Shatku është personi i besuar i Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit dhe sipas deklarimit të Fatime Kryemadhit, edhe kushëriri i largët i tyre”

Mbrojtja: Edhe ky konkluzion është tendencioz, pasi nga i gjithë hetimi rezulton se Adrian Shatku është person i afërt me Monika Kryemadhin si dibranë dhe Ema Shatkun (Çokun), shoqe e afërt e Monikës. Për këto arsye ai ka qenë një person i njohur dhe i respektuar nga Ilir Meta, por asnjëherë as i besuari i tij dhe as në dijeni të ndonjë aktiviteti të paligjshëm apo të dyshimtë të tij.

Sa i takon komunikimeve mes Kryemadhit dhe Shatkut, ku deputetja e informon mbi udhëtimin e Metës në Marok, mbrojtja e kreut të PL thotë se ky episod tregon fuqinë e Shatkut në Marok ku do të takohej edhe më kryeministrin e këtij vendi.

Mbrojtja: Për të paraqitur këtë lidhje midis Ilir Metës dhe Adrian Shatkut shumë “të fortë”, akuza pasqyron episodin sipas komunikimeve elektronike se (sipas faqes 71 të komunikimit të akuzës si i pandehur):  “Në datën 5 shtator 2014, Monika e informon Adrianin se Iliri do të shkojë në Marok në datat 30-31 Tetor 2014 dhe i thotë se “po të duash për të vajtur dhe nëse të duhet ndonjë takim me ndonjë ministër – më tha Iliri”. Adriani i përgjigjet se ai do të shkojë dhe se “…takimin me PM do ta bëj unë….takojmë edhe ministrat e energjisë dhe telekomunikacionit”

Mbrojtja: Ky episod tregon jo vetëm se Monika informon Adrianin për lëvizjet e Kryetarit të Kuvendit, por edhe se Adriani ishte shumë i fuqishëm në Marok sa merrte përsipër të rregullonte takimin me PM (Kryeministër) dhe ministra të tjerë. Atëherë përse i duhej ndihma e Kryetarit të Parlamentit të Shqipërisë në Marok, Adrianit, kur ishte kaq i lidhur me Kryeministrin e Marokut? Siç dihet vizita ka qenë shtetërore dhe e bërë me të gjitha rregullat protokollare. Përfshirja e episodeve të tilla kërkon në mënyrë të sforcuar të krijojë një lidhje të dyshimtë midis Ilir Metës dhe Adrian Shatkut e cila nuk ekziston në asnjë rrethanë.

Teksa e akuzon SPAK-un për krijimin e rrethanave për ta fajësuar, Meta drejton gishtin tek ish-sekretari i Përgjithshëm i ish-LSI-së Endrit Braimllari duke thënë se kushëriri i këtij të fundit është takuar me Shatkun 100 herë në Tiranë.

“Në përgjigje të pyetjeve të bëra më parë nga akuza, unë i kam bërë të qarta rrethanat e njohjes me Adrian Shatkun, ndaj kjo lojë fjalësh e prokurorëve është pa kuptim. Nëse unë nuk kam patur asnjë lidhje të dyshimtë, të paligjshme, ky nuk është faji im, por merita e sjelljeve të mia përherë të përgjegjshme, të ligjshme dhe të moralshme. Po kështu, shtetasin Eriol Braimllari mund ta pyesni nëse është takuar të paktën njëherë apo të paktën 100 herë me shtetasin Adrian Shatku në Tiranë apo edhe në Uashington edhe pa Kryetarin e Parlamentit. Për këtë mund t’ju ndihmojë edhe sistemi TIMS”- thuhet në parashtrimin e mbrojtjes së Metës.

Sa i takon lobimeve në SHBA, Meta i qëndron pretendimit se nuk ka patur asnjë dijeni mbi pagesa të padeklaruara për interes të ish-LSI.

“Lidhur me diferencat që i rezultojnë organit të akuzës për lobimet e LSI në SHBA, theksojmë se çdo veprim nga ana e Z. Meta dhe Kryesisë së LSI, deri në Prill 2017 kur Z. Ilir Meta u zëvendësua nga Z. Petrit Vasili si Kryetar i LSI, ka qenë në respekt të plotë të ligjeve shqiptare dhe amerikane. Çdo marrëveshje miratohej në Kryesin e Partisë dhe një titullar caktohej për të firmosur dhe ndjekur zbatimin e saj sipas klauzolave të rëna dakord me kompanitë përkatëse. Z. Meta kurrë as nuk ka autorizuar e as nuk ka patur dijeni se një person apo kompani në Shqipëri apo SHBA ka bërë pagesa të padeklaruara, pra të paligjshme për interes të LSI.

Po kështu, Z.Meta është i habitur se si kompani amerikane mund të pranojnë pagesa të tilla në shkelje të ligjeve amerikane dhe ai është  interesuar të di nëse dikush prej tyre po hetohet nga SHBA për këtë shkelje të ligjeve amerikane”- shtohet më tej nga mbrojtja e kreut të PL. Versus.al

Poll