
Në seancën e sotme gjyqësore në Gjykatën e Posaçme po shqyrtohet kërkesa e bërë ng apala mbrojtëse e kreut të PL, Ilir Meta për t’u njohur me ecurinë e hetimeve të SPAK ndaj ish-presidentit të vendit.
Po ashtu avokati i Metës, Kujtim Cakrani ka kërkuar që GJKKO të zbusë masën e sigurisë për kreun e partisë së Lirisë me pretendimin se nuk ekzistojnë rrethana që ndaj tij të ketë një masë të tillë.
Në parashtrimet e bëra nga mbrojtja e Metës jepen argumente të cilat sipas tyre rrëzojnë pretendimet e SPAK sa i takon përfitimeve të paligjshme që sipas prokurorisë kanë marrë Meta dhe Kryemadhi nga biznesmeni Adrian Shatku nëpërmjet kartave të kreditit.
Madje në kundërshtimin që i bëhet akuzës, përgjegjësia i lihet ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi duke thënë se kishte marrë vendimin për t’u divorcuar prej saj pasi kishte mësuar se kishte një kartë të tillë krediti edhe pse nuk e kishte përdorur.
“Akoma më tendencioze është përpjekja e prokurorëve për të paraqitur Z. Meta si bashkëpërfitues apo në dijeni të kartave të paligjshme që pretendon akuza, të cilat edhe vetë sipas saj janë vetëm në emër të Monika Kryemadhit, e cila sipas SPAK, rezulton edhe përfituese e tyre. Zoti Meta jo vetëm që s’ka qenë në dijeni të kësaj marrëdhënieje të paligjshme , por pasi ka mësuar se pas kontrollit në banesën e nënës së Znj. Kryemadhi, ekzistonte një kartë e tillë, por e papërdorur, sipas zonjës Kryemadhi, vendosi edhe divorcin ligjor me të duke e vlerësuar si shkelje të rëndë të besimit, të ligjit për një politikane me përvojë, por edhe në dëm të kauzave të tij politike”- thuhet në parashtrimin e mbrojtjes së Metës. Versus.al







