Një gëzim në periferi të Athinës përfundoi në një përleshje të përgjakshme në orët e para të së shtunës, ku katër persona mbetën të plagosur – tre shtetas shqiptarë dhe një grek që u përpoq të ndante palët e përfshira.
Ngjarja ndodhi rreth orës 02:30, gjatë një aktiviteti të organizuar nga Shoqata e Kretasve të Metamorfosis.
Sipas informacioneve të para, konflikti nisi për një arsye banale mes një grupi shqiptarësh që po largoheshin nga festa dhe bashkatdhetarëve të tyre.
Një debat i thjeshtë i tipit “Pse më shikon? Lëshoje rrugën!” degjeneroi shpejt në përleshje me thika.
Brenda pak minutash, situata eskaloi dhe përplasja u shndërrua në një konflikt të dhunshëm mes rreth 20 personash, duke shkaktuar panik te pjesëmarrësit.
Nga ngjarja u plagosën katër persona, të cilët u dërguan në spital.
Dy prej tyre, shqiptarë të lindur në vitet 1999 dhe 2000, kanë marrë plagë të rënda në kraharor, brinjë dhe nën sqetull.
Një grek, i lindur në vitin 2000, u qëllua me thikë në mes, teksa përpiqej të ndante të përfshirët. Po ashtu, një tjetër shqiptar, i lindur në vitin 2000, u plagos në krah, brinjë dhe kraharor, si dhe ka marrë dëmtime në fytyrë./Versus.al







