
Tiranë- Dy persona janë arrestuar nga policia për sherrin e ndodhur paraditen e djeshme në gjimnazin “Ibrahim Rugova” në Kamëz ku u plagosën me thikë dy 16 vjeçarë.
Mësohet se sherri ka nisur pas konfliktit për motive të dobëta mes 5 personave. Në pranga kanë rënë 2 të mitur 16 vjeçarë të cilët dëmtuan me thikë e grushte 3 të miturit e tjerë me të cilët u konfliktuan. Pikënisja e sherrit ka qenë pyetja "pse më sheh" nga njëri prej të miturve.
Mësohet se njëri prej të dëmtuarve është ende nën kujdesin e mjekëve, ndërsa 16 vjeçari tjetër ndodhet jashtë rrezikut për jetën. I dëmtuari i tretë është larguar në banesë me dëmtime të lehta. Policia ende nuk ka gjetur thikën e përdorur për krimin. Ndërkohë, materialet proceduriale i kanë kaluar prokurorisë së Tiranës.
Plagosja e ndodhur tregoi edhe njëherë brishtësinë e sigurisë nëpër shkollat publike dhe nevojën për një strategji kombëtare për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe rikthimin e autoritetit të mësuesve dhe prindërve ndaj të miturve. Versus.al







