Sot në Gjykatën e Posaçme u zhvillua seanca gjyqësore e radhës për dosjen “Plumbi i Artë”. në gjyq është trajtuar vrasja e Ervis Dedës në 2012-ën dhe nënës së tij Fatmira Deda në 2013-ën. Në seancë ishte thirrur për të dëshmuar, M.Deda, motra e Ervis Dedës dhe e bija e Fatmira Dedës. Teksa e thërret vëllain e saj të ndjerë me pseudonimin “Loshja”, motra e tij thotë se nuk kishte asnjë dijeni me çfarë merrej vëllai i saj.
Ajo shtoi se pas vrasjes së vëllait të saj, nuk kishte patur komunikim me të ëmën. Sa për këtë të fundit, M.Deda shprehet se e kanë vrarë për 40 mijë euro. Ndërsa rrëfeu se ishte takuar disa herë me autorin kryesor të dyshuar, Festim Qolin për t’i shitur këtij të fundit një pjesë të aksioneve të një biznesi. Vlera që kishte përfituar nga këto aksione ishte 45 mijë euro.
Dëshmitarja u shpreh më tej se daja i saj Besnik Dedja nuk i kishte treguar se Festim Qoli ishte vrasësi i vëllait dhe nënës së saj.
“Në kohën kur ka ndodhur ngjarja, vëllai jetonte në Durrës, ndërsa unë në Kavajë. “Loshja” quhet vëllai im, emrin Ervis e ka të ndryshuar. Nuk kam pasur dijeni se me ccfarë është marrë vëllai im, që nga viti 1997 deri në vitin 2012. Vëllai ka qenë emigrant që i vogël, ka pas jetuar në Kavajë. Vëllai im ka emigruar në Itali për herë të parë dhe pastaj nuk r di ca ndodhi me Loshen. Pastaj ka qenë në Belgjikë dhe Holandë dhe u kthye në Shqipëri në vitin 2008. Vdekjen e vëllait e mësova kur isha në kurs. Më bënë një telefonatë rreth orës 22.00 dhe më thanë që Loshja kshu kshu. Pastaj kam shkuar në Gjermani. Kur mora vesh për vëllain kam patur një telefonatë me mamin. E shkurtër ishte telefonata. Unë i kam thënë nuk kam qenë mirë për te qenë pjesë e varrimit, sepse nuk njihja askënd. Mora kohë me veten time. Pastaj kur u ktheva nga Gjermania në vitin 2013 mora vesh ngjarjen për Mamin. Unë në 97’ shkëputa marrëdhëniet me vëllain, jo per vëllain sepse ai është gjaku im po ashtu rrodhën gjërat. Po të ishte gjallë Loshja nuk do kishin shans të preknin nënën time me dorë. Loshja ka pas marrëdhënie të ngushtë me mamin. Është situatë dramatike, nuk kam fjalë. Me nënën nuk kam patur fare komunikim kur vdiq vëllai. Mami im është vrarë për 40 mijë euro. Besnik Dedjan e njoh si dajën e Loshes, sepse unë nuk kam patur marrëdhënie me njerëzit e mamit. Jam takuar disa herë Festim Qolin, pas vrasjes së nënës time. Qëllimi i takimit ka qenë shitja e disa aksioneve të një biznesi. Vlera që përfitova nga ky truall ishte 45 mijë euro. Nuk jam pronare e asnjë prone sot. Daja nuk më ka thenë që i dyshuar si vrasës ka qenë Festim Qoli. Nga nëna kam trashëguar një banesë në Durrës, të cilën me pas e kam shitur. Nuk jam interesuar në prokurori për vrasjen e mamit dhe të vëllait, thjesht ja kam lënë në dorë drejtësi që te zbardhë veprimet. Unë nuk kam jetuar as me mamin as me anëtarë të fisit të mamit, nuk e kam idenë nëse mami ka kërkuar informacion për vrasjen e vëllait”- mësohet të ketë thënë dëshmitarja në GJKKO. Versus.al
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
