AKTUALITET /

Shqipëria drejt kthimit në “qendër grumbullimi”? Pas Italisë, edhe Britania plan për të sjellë emigrantë afrikanë

Mediat angleze shkruajnë se po shihet mundësia që të ndiqet e njëjta marrëveshje e firmosur mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët afrikanë.

Shkruar nga Versus
Shqipëria drejt kthimit në “qendër grumbullimi”? Pas
Kryeministri britanik Keir Starmer, kryeministrja italiane Giorgia Meloni

Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si vend ku mund të transportohen emigrantë të paligjshëm të cilëve, gjatë kohës që këtyre të fundit u trajtohen kërkesat e bëra për azil në vende të zhvilluara të Evropës.

Pas Italisë, duket se një gjë të tillë po e konsideron edhe Britania e Madhe. Kryeministri laburist i sapozgjedhur, Keir Starmer, ka pranuar se është i hapur për dërgimin e emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri ku në një rast të tillë do të qëndronin derisa t’u trajtoheshin kërkesat për azil, shkruan Sunday Expres

Përpara se të udhëtonte sot në Romë për të takuar kryeministrin Giorgia Meloni, kryeministri Starmer zbuloi se mund të kopjonte marrëveshjen e Italisë për të vlerësuar aplikimet në Shqipëri. Migrimi i paligjshëm do të jetë një nga temat kryesore për të dy liderët, pasi Sir Keir vazhdon përpjekjet e tij diplomatike për të rivendosur marrëdhëniet me Evropën.

Mbërritjet në Itali kanë rënë me 62 për qind pasi zonja Meloni nisi një goditje ndaj emigrantëve që kalonin Mesdheun.

Ajo ka arritur marrëveshje me Libinë dhe Tunizinë për të ndaluar anijet që largohen nga Afrika veriore dhe në mënyrë të diskutueshme ka ndaluar anijet e bamirësisë që të marrin azilkërkuesit nga më shumë se një anije në të njëjtën kohë.

"Ajo, natyrisht, ka disa ide të forta dhe shpresoj t'i diskutojmë ato me të. Ajo dhe unë kemi diskutuar tashmë se si mund të përmirësojmë operacionet e përbashkëta, kështu që kjo është diçka që do të diskutojmë”- u shpreh Starmer para takimit me Melonin.

Qeveria italiane ka shkurtuar mbërritjet në brigjet e saj jugore me dy të tretat në 44,495, sipas ministrisë së brendshme të Italisë.

Ndërkohë, në Shqipëri pritet që qendrat e ndërtuara për strehimin e emigrantëve afrikanë, të happen në fund të muajit shtator. Në prag të mbërritjes së tyre, edhe një personel italian është vendosur në Lezhë ku do të qëndrojnë gjatë marrëveshjes së firmosur mes dy vendeve duke garantuar rendin dhe sigurinë në kampin e refugjatëve. Marrëveshja është firmosur për 5 vite dhe gjatë kësaj periudhe Shqipëria merr emigrantë afrikanë që mbërrijnë në brigjet italiane, duke i mbajtur ato në kampe derisa t’u trajtohet aplikimi që kanë bërë për azil në Itali. Në total kapaciteti i emigrantëve të mbërritur në kampe vlerësohet deri në 36 mijë persona në vit.

Për këtë marrëveshje, Shqipëria nuk përfiton as edhe një qindarkë, ashtu siç e ka deklaruar edhe vetë kryeministri Edi Rama i cili njoftoi vendimin pa u konsultuar me asnjë institucion duke e konsideruar si “borxh” që Shqipëria ia ka Italisë. Versus.al

Poll