Ministria e Drejtësisë bëri publike ditën e sotme se ka dërguar në Dubai, dosjen për ekstradimin e të shumë kërkuarit Durim Bami, të ndaluar disa ditë më parë.
Por për çfarë kërkohet me kaq ngulm, dhe kush është Durim Bami, person me një jetëshkrim të pasur kriminal.
I njohur ndryshe me nofkën ‘i forti i Niklës’’, Durim Bami është një emër i përfolur dhe shpesh i lakuar nga drejtësia e mediat shqiptare.
Ai njihet gjithashtu edhe për lidhjet e forta të krijuara me njerëz në botën e krimit dhe të politikës.
Në 2015 Bamit i kanë vendosur eksploziv në makinën e tij tip “BMË X5″ me targa AA 858 IS, por nuk pati lëndime.
Në 3 mars të 2015 ai është arrestuar nga Policia pas akuzave të Tom Doshit, se ish-kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kishte porositur një atentat për ta ekzekutuar atë përmes Durim Bamit, kundrejt pagesës 500 mijë euro.
Bami u kap në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi. Më 4 korrik të 2018 ai u lirua nga Gjykata, pasi kjo e fundit e dënoi me 1 vit burg, por që dënimin ta kryente në “shërbim prove”.
Po kështu i shumëkërkuari ka qenë i dyshuar në vitin 2004 për një tentativë vrasjeje. Ai është dyshuar për vrasjen e Erzen H. dhe Hasan K. Gjithashtu Durim Bami rezulton si personi i fundit që ka takuar shtetasin Enver Stafukën.
Më herët ai është dënuar me 4 vjet burg për veprën penale të pengmarrjes. Bami u ndalua edhe në shtator të 2018 nga një operacion i RENE-as në Nikël pas informacioneve se në banesat e të fortëve në këtë zonë kishte armë, drogë dhe sasi eksplozivi.
Të gjithë ishin bërë bashkë për ta vrarë, por Durim Bami ishte objektiv i vështirë për t’u eliminuar, edhe pse për kokën e tij rivalët vendosën 1 milionë euro ata nuk ja arritën qëllimit.
Teksa sipas edhe dosjes dhe operacionit ‘’Revansh’’ ku Ervis Martinaj, Arben Ndoka apo Avdylajt e Shijakut donin doemos ta zhduknin, 45-vjeçari ishte shpallur në kërkim dhe ndaj tij u vendos masa “arrest me burg” në mungesë për vrasje dhe tentativën për vrasje të 3 personave, mes tyre edhe vetë ish-deputetin socialist Arben Ndoka.
Por liria e të fortit të Niklës nuk zgjati shumë pasi është në akuzë në dosjen “Revanshi” për 4 vepra penale, nga sigurimi i kushteve për vrasje deri tek grup i strukturuar kriminal, kultivim droge dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal. Durim Bami, bashkë me Endrit Doklen, Marklen Hakën dhe Xhelal Rrajën, do vrisnin Arben Ndokën.
Detyra e tij do të ishte sigurimi i informacioneve për lokalizimin e ish-deputetit dhe të njoftonte të tjerët. Ndërkohë, për vrasjen e Tori Xhecukës dhe Erigers Mihasit, 45-vjeçari ka pasur rol kryesor të organizatorit. Bashkë me ish-policin Altin Morina ai akuzohet për kultivim narkotikësh në zonën e Krujës.







