Tre shtetas shqiptarë janë arrestuar nga autoritetet italiane në kuadër të një operacioni të gjerë antidrogë të zhvilluar në provincat e Milanos dhe Palermos. Arrestimet janë rezultat i një hetimi të thelluar nga seksioni operativ i kompanisë Pioltello, që çoi në zbërthimin e një organizate kriminale të strukturuar dhe të qëndrueshme, të përfshirë në trafikun dhe shpërndarjen e kokainës.
Sipas të dhënave të Policisë italiane, në total janë identifikuar nëntë persona të përfshirë, përfshirë gjashtë të ndaluar në nivel lokal. Organizata kishte një strukturë të mirëpërcaktuar me ndarje të qartë rolesh, ku shqiptarët e arrestuar – të moshës 46, 43 dhe 48 vjeç – dyshohet se qëndronin në krye të rrjetit.
Strukturë kriminale e organizuar
Hetuesit thonë se tre shtetasit shqiptarë kishin rol drejtues në:
Menaxhimin e porosive dhe furnizimin me drogë,
Koordinimin e bashkëpunëtorëve,
Transferimin e të ardhurave, sidomos për klientët e konsideruar “të besueshëm”.
Për të dokumentuar aktivitetin kriminal, janë përdorur metoda të përgjimit, ndjekjes në hije dhe mbikëqyrjes së depozitave. Rrjeti operonte kryesisht në distriktin Satelitor të Pioltello-s dhe në komunën Rodano, ku u identifikuan pika magazinimi droge në banesa private dhe ndërtesa tregtare.
Gjatë hetimeve, autoritetet italiane kanë sekuestruar:
500 gramë kokainë të pastër,
Peshore precize dhe materiale për paketimin e drogës,
10 llogari bankare dhe postare, të lidhura me aktivitetin kriminal, ku dyshohet se ruheshin të ardhurat nga trafiku i drogës.
Ky operacion pason një fazë tjetër hetimore të zhvilluar mes janarit dhe marsit 2024, ku ishin arrestuar tre persona të tjerë (dy italianë dhe një shqiptar), si dhe ishte referuar në gjendje të lirë një tjetër shtetas shqiptar.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar lidhjet e plota të rrjetit dhe për të ndjekur rrjedhën e të ardhurave nga aktivitetet e paligjshme. /Versus.al/







