
Një ngjarje e rëndë është raportuar së fundmi nga Italia, ku një 50-vjeçar shqiptar, i quajtur Dritan Qafa, ka shkaktuar panik në një lagje të tërë në Vigevano, pasi sulmoi dy persona dhe qëlloi me armë zjarri.
Sipas mediave italiane, gjithçka nisi kur ai sulmoi pronarin e tij 75-vjeçar, i cili mbeti i plagosur dhe u dërgua me urgjencë në spital. Situata u përshkallëzua edhe më tej, kur shqiptari mori një pushkë të modifikuar dhe qëlloi dy herë në drejtim të një gruaje 63-vjeçare që punonte në banesë.
Gruaja arriti të shpëtojë për mrekulli duke u fshehur pas një dere, megjithëse mbeti e lënduar në krah nga copat e xhamit të thyer nga të shtënat.
Pas sulmit, autori u mbyll brenda banesës, duke mbajtur në ankth banorët e zonës për disa orë. Negociatat me policinë nuk dhanë rezultat, çka detyroi ndërhyrjen e forcave speciale.
Operacioni për neutralizimin e tij ishte i shpejtë: fillimisht u përdor një granatë zhurmuese për ta çorientuar, më pas ai u godit me armë paralizuese elektrike dhe u vu në pranga.
Shqiptari u arrestua dhe u dërgua në ambientet e paraburgimit, ndërsa pritet të përballet me akuza të rënda, përfshirë tentativë vrasjeje dhe posedim të paligjshëm të armëve.
Të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje që tronditi komunitetin lokal.

