Pas tetë vitesh hetime, autoritetet italiane kanë zbardhur vrasjen e 33-vjeçarit shqiptar Ervin Sadiku, i ekzekutuar më 3 shkurt 2017 në Bari të Italisë. Një urdhër-arrest u ekzekutua ndaj një 37-vjeçari me inicialet C.F., nga Bitonto, i akuzuar për vrasje me paramendim, posedim të armëve të zjarrit dhe veprime të kryera me metoda mafioze.
Sipas hetimeve, mbrëmjen e 3 shkurtit 2017, Ervin Sadiku dhe C.F. kishin marrë pjesë në një grabitje të armatosur. Pas grabitjes, në fshatin Binetto, C.F. qëlloi Sadikun 12 herë në qafë dhe kokë, duke e lënë të vdekur. Testet balistike konfirmuan se disa nga të shtënat ishin bërë pasi viktima kishte rënë në tokë.
Sipas hetuesve, urdhri për vrasjen e Sadikut erdhi nga kreu i një organizate kriminale, për të parandaluar bashkëpunimin e tij me drejtësinë. Ky vendim lidhej me frikën e shpërbërjes së klanit dhe dënimeve të rënda për drejtuesit e tij.
Sadiku kishte precedentë penalë për trafik droge dhe armësh. Në vitin 2012, ai ishte arrestuar gjatë një operacioni të madh policor, ku u ndaluan 44 persona. Hetimet që çuan në arrestimin e C.F. janë pjesë e një operacioni më të gjerë kundër aktiviteteve kriminale në zonën e Bitontos.








