Zjarri në Njësinë Administrative Terpan të Bashkisë Poliçan ka dalë jashtë kontrollit dhe është përhapur me shpejtësi, duke kërcënuar fshatrat përreth.
Ministria e Mbrojtjes ka lëshuar urdhër për evakuimin e menjëhershëm të banorëve të fshatrave Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik dhe Panarit, si dhe të zonave brenda Rezervatit të Mbrojtur “Balloll”.
Banorët u kërkohet të largohen sa më shpejt nga banesat e tyre dhe të bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet gjatë procesit të evakuimit, për të garantuar sigurinë personale.
Forcat e emergjencës dhe të Mbrojtjes Civile po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit dhe menaxhimin e situatës kritike. Ministria apelon për kujdes dhe respektim të udhëzimeve në këto momente të vështira.
Statusi i Ministrisë Mbrojtjes:
URDHËR EVAKUIMI
Situata e zjarrit në Bashkinë Poliçan, Njësia Administrative Terpan, ka dalë jashtë kontrollit dhe ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duke rrezikuar djegien e fshatrave përreth.
U kërkohet banorëve të fshatrave Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik dhe Panarit, si dhe zonave brenda Rezervatit të Mbrojtur “Balloll”, të largohen menjëherë nga banesat dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt./Versus.al







