AKTUALITET /

Skandal mjedisor në Tiranë, 13 persona në gjyq! Mes tyre 10 zyrtarë shtetërorë për abuzim me tenderat (EMRAT)

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për skandalin me mbetjet spitalore dhe ka çuar për gjykim 13 persona, përfshirë administratorët e tre kompanive private dhe 10 zyrtarë e inspektorë të institucioneve mjedisore, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.

Shkruar nga Versus

Skandal mjedisor në Tiranë, 13 persona në gjyq! Mes tyre 10

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për skandalin me mbetjet spitalore dhe ka çuar për gjykim 13 persona, përfshirë administratorët e tre kompanive private dhe 10 zyrtarë e inspektorë të institucioneve mjedisore, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.

Në qendër të hetimit që nisi pas një kallëzimi të gazetarit investigativ S.K., është kompania "Vale Recycling" shpk, me administratorin Elvis Miri, i cili dyshohet se përfitoi mbi 65 milionë lekë tendera publikë për riciklimin e mbetjeve spitalore pa pasur kapacitetet e nevojshme teknike.

Sipas Prokurorisë, Miri ka paraqitur dokumente të falsifikuara që vërtetonin gjoja zotërimin e një pajisjeje të specializuar për përpunimin e mbetjeve të rrezikshme (autoklava Econos Tsc 150), ndërkohë që ajo nuk ishte në funksion.

Kompania ka fituar tendera në spitale si ai i Beratit, materniteti “Koço Gliozheni”, QSUT dhe Spitali “Shefqet Ndroqi”, duke mashtruar mbi kapacitetet reale. Dy administratorët e tjerë të dërguar për gjykim janë Elidiana Shehu e “EMC shpk” dhe Laert Shehu i “Swot shpk”, të cilët gjithashtu akuzohen për deklarime të rreme për pajisje teknologjike me qëllim përfitimin e kontratave dhe lejeve mjedisore.

Zyrtarët nën akuzë

Ndërkohë, për veprën penale “shpërdorim detyre” janë marrë të pandehur 10 zyrtarë dhe inspektorë mjedisorë, mes tyre Jorida Shabaku, Edmond Palushi, Arben Marku, Norbert Dacaj, Alba Kurti, Besarta Leka, Ilir Bardhi dhe Kejdi Ahmetaj.

Sipas Prokurorisë, këta funksionarë kanë kryer inspektime formale, kanë firmosur dokumente të falsifikuara dhe nuk kanë verifikuar realisht kushtet në terren, duke i hapur rrugën abuzimeve me mbetjet e rrezikshme dhe dëmtimeve mjedisore.

Hetimet për periudhën 2017–2022 zbuluan një skemë të gjerë bashkëpunimi të dyshimtë mes interesave private dhe autoriteteve shtetërore, ku kompania "Vale Recycling" rezulton të ketë përfituar mbi 30 tendera, duke shkelur kriteret ligjore për leje mjedisore të tipit A dhe B.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë: 

Lejuan ushtrimin e aktivitetit të kompanive në shkelje të lejeve mjedisore dhe nuk kryen inspektime, Prokuroria Tiranë dërgon në gjyq 13 persona, mes të cilëve 10 zyrtarë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq 13 persona, mes të cilëve 10 inspektorë e zyrtarë të institucioneve mjedisore për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’, duke lejuar shkelje në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe trajtimit të mbetjeve të rrezikshme spiralore.

Në kuadër të hetimeve të zgjeruara për çështjen penale nr.1255/2024, e cila u regjistrua pas kallëzimit të gazetarit investigativ S.K., u këqyr i gjithë dokumentacioni zyrtar, u morrën deklarime, si dhe u verifikuan në terren dhe u administruan provat materiale e fotografike.

Hetimi zbuloi një skemë të gjerë falsifikimi dhe shpërdorimi detyre, e cila përfshinte bashkëpunim ndërmjet subjekteve private dhe funksionarëve publikë dhe për rrjedhojë u morrën të pandehur për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve (neni 186/3 i Kodit Penal) shtetasit:

E.M., administrator i “V.R Shpk”
E.Sh., administratore e “E.. Shpk”
L.Sh., administrator i “S.... Shpk”
Këta shtetas akuzohen për deklarime të rreme mbi pajisje teknologjike për sterilizimin e mbetjeve, të përdorura për të përfituar kontrata publike dhe leje mjedisore në mungesë të kapaciteteve reale.

Gjithashtu, u morrën të pandehur për veprën penale të shpërdorimit të detyrës (neni 248 i K.Penal) dhjetë inspektorë dhe zyrtarë të institucioneve mjedisore: J.Sh., E.P., A.M., N.D., T.P., B.S., A.K., B.L., I.B., dhe K.A..

Ata dyshohen se kanë kryer inspektime formale, kanë pranuar dokumentacion të manipuluar dhe nuk kanë verifikuar kushtet reale të instalimeve në terren. Nga analiza e të dhënave rezultoi se, gjatë periudhës 2017–2022, subjekti “V. R..” ka përfituar mbi 30 tendera, duke përdorur pajisje të pasakta dhe të munguara në vendushtrim te aktivitetit, në kundërshtim me kriteret ligjore për lejet mjedisore të tipit A dhe B. Ky hetim nxjori në pah problematika të rënda në zbatimin e standardeve mjedisore, mungesën e kontrolleve efektive dhe bashkëpunimin e dyshimtë ndërmjet interesave privatë dhe autoriteteve mbikëqyrëse.

Të gjithë personat e përfshirë gëzojnë prezumimin e pafajësisë, deri në një vendim përfundimtar nga gjykata kompetente. Versus.al

Poll