Dy javë pas marrjes së detyrës si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka nisur lëvizjet e para në strukturat drejtuese të policisë.
Sipas raportimeve, Neritan Buzi është larguar nga detyra e shefit të Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë dhe është transferuar në Pukë. Në vend të tij është komanduar Luis Zeqaj, i cili do të drejtojë aktualisht Rrugoren e kryeqytetit.
Ndryshime janë bërë edhe në strukturat e tjera, ku Joan Trungu është transferuar nga detyra e komandantit të trafikut në Tiranë dhe është emëruar shef i “Shigjetave” në kryeqytet.
Po ashtu, Skënder Hita ka lëvizur edhe shefin e krimit ekonomik në Policinë e Tiranës, Kreshnik Alimadhin, i cili është transferuar në Lezhë në detyrën e shefit të seksionit.
Ende nuk janë bërë publike arsyet zyrtare të këtyre ndryshimeve në radhët e Policisë së Shtetit./Versus.al

