Policia e Tiranës ka publikuar disa prej masave të ndërmarra për të garantuar sigurinë dhe rendin për derbin e kryeqytetit, ndeshjen e futbollit mes Tiranës dhe Partizanit.
Duke nisur që prej orës 14:00, makinat e parkuara rreth stadiumit, do të spostohen, ndërsa rrugët do të bllokohen që prej orës 17:00. Më poshtë disa prej segmenteve rrugore të cilat do të jenë të bllokuara:
Rruga “Lek Dukagjini”, përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.
Rrugëkalimet e tifozëve do të jenë si më poshtë:
– Lëvizja e tifozëve të Tiranës do të bëhet: Nisja përballë “Teatrit të Kukullave” bulevardi “Dëshmorët e Kombit, rruga “Bajram Curri”, ETC, rruga “Papa Gjon Pali II”, qendra “COIN” - stadium;
– Lëvizja e tifozëve të Partizanit do të bëhet: nga kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja”, përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, rruga “Sulejman Delvina”, rruga “Ibrahim Rugova” pas Presidencës, sheshi “Frederik Shopen”, shkallët e universitetit – stadium.
Para se të hyjnë në stadium, tifozët do t’i nënshtrohen kontrollit për për sende të kundërligjshme (sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë apo lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.
“Nuk do të lejohen të futen në stadium shtetas pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pavarësisht se mund të jenë të pajisur me bileta, nuk do të lejohen pa praninë e prindit apo kujdestarit (shoqëruar me dokument). Nuk do të lejohen të futen në stadium të gjithë ata tifozë të cilët në aktivitete të ndryshme sportive janë të identifikuar nga Policia, si tifozë problematikë”- njofton policia. Versus.al








