Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka qenë i pranishëm në seancën paraprake të zhvilluar në GJKKO ku pritej të vendosej nëse dosja e tij do të kalojë apo jo për gjykim.
Ai ka kërkuar që të mos mbahet në kafaz prej xhami, ashtu si herën e kaluar duke marrë si rast arsyetimi paraqitjen e tij në Gjykatën Kushtetuese ku u lejua të mbante fjalën pa asnjë kufizim. Sipas tij, mbajtja në kafaz xhami nuk lejon mbrojtje cilësore ndaj pretendimeve të SPAK.
Kjo kërkesë së bashku me kërkesën e avokatëve të tij për pezullimin e procedurave deri në vënien në dispozicion të akteve hetimore, është rrëzuar nga Gjykata e Posaçme. Kryebashkiaku largoi avokatin e tij Artan Gjermeni dhe GJKKO i caktoi një avokate kryesisht, Valentina Teodoreskun.
Veliaj është i pandehur për 5 vepra penale në dosjen në ngarkim të tij, bashkëshortes Ajola Xoxës si dhe 28 personave të tjerë e kompanive që dyshohen të përfshira në shkeljet e gjetura nga hetimi i SPAK për kryebashkiakun. Versus.al

