Deputeti demokrat Asllan Dogjani ka reaguar pasi u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK për mosdeklarim pasurie dhe dosja e tij u dërgua për gjykim në GJKKO.
Në studion e emisionit “Ora e Betit”, Dogjani pretendoi se çdo hetim i ndërmarrë ndaj tij bëhet pas denoncimeve të shumta politike që ai ka bërë kundrejt mazhorancës apo sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
“Në SPAK ata që janë hajdutë nuk shkojnë. Pra duhet të jesh hajdut që të mos shkosh te SPAK-u. Kjo tregon që nuk jam hajdut, prandaj më çojnë tek SPAK-u. Por këtu është e qartë që ka një orientim ndaj meje nga qeveria, me synim për të na bërë pis edhe ne që nuk jemi bërë pis asnjëherë. Ka vendim politik, sepse kam guxuar të reagoj për interesin publik dhe një pronë publike”- tha Dogjani.
Ai shpjegoi edhe njëherë rrjedhën e denoncimeve që çuan deri në nisjen e hetimeve ndaj tij.
“Përpara pallatit tonë, ish-ndërtuesi në vitin 2006 nëpërmjet një të moshuari e ka paraqitur sikur jeton atje dhe e ka paraqitur se mban veglat atje dhe e ka legalizuar në 2020-ën dhe më pas ia ka kaluar djalit të tij. Pra, pronën publike, ish-kopështi publik me 250 metra katror tokë, dhe jo vetëm kaq por na ka zënë dhe derën e pallatit”, u shpreh Dogjani i cili tha se pavarësisht se kishte kontaktuar ministrin e Brendshëm Taulant Ballën asokohe, ky i fundit nuk ndërmorri asnjë veprim.
Siç pati deklaruar në deklaratat e tij të mëhershme para SPAK-ut, Dogjani pretendoi se ndaj tij u ngrit kallëzim nga ndërtuesi që zaptoi pronën publike, i cili rezulton të jetë sipas tij edhe kushëri me një prej deputetëve të PS.
Dje SPAK njoftoi dërgimin për gjykim të dosjes së Dogjanit i cili akuzohej për mosdeklarim pasurie pasi kishte deklaruar se blerjen e një apartamenti në 2006-ën do e realizonte në këmbim të konsulencës juridike që do ofronte, por sipas Prokurorisë së Posaçme pagesa prej rreth 123 mijë eurosh është bërë në dorë. Versus.al








