
Këtë të mërkurë në orën 11:00, mjekët e spitalit të Onkologjikut të akuzuar për korrupsion dhe kontrabandë medikamentesh mjekësore do të dalin para Gjykatës së Posaçme ku do t’u rivlerësohen masat e sigurisë.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme antikorrupsion, ka kërkuar informacion nga bankat dhe hipotekat për pasuritë dhe asetet e mjekëve, Edmond Gashi, Alketa Pere si dhe ish-zv.drejtoreshën Briken Qirjazi në kuadër të hetimit pasuror të nisur ndaj tyre. Hetim pasuror ka nisur edhe ndaj të pandehurve të tjerë të përmendur në skandal, si Emiljano Lela, Drilona Kishta, Halil Gashi dhe Florian Marku.
Skandali zbuloi sesi ilaçet që duhej t’u siguroheshin të sëmurëve falas nga shteti, në fakt nuk u jepeshin por pacientët dërgoheshin në farmaci private ku merrnin ilaçe me çmime deri në 1500 euro, siç zbardhën edhe hetimet e Prokurorisë së Tiranës.
Pacientët gjithashtu orientoheshin drejt klinikës “Megis” në pronësi të Edmond Gashit ku ishte e punësuar “në të zezë” edhe mjekja Alketa Pere. Aty u ofrohej shërbimi që mjekët refuzonin t’ua ofronin falas në spitalin Onkologjik. Ndërsa ish-zv drejtoresha është marrë e pandehur për lenien në harresë të pajisjes së kobaltit që duhej të ishte në punë për të trajtuar të sëmurët me kancer.
Skandalin e kishte dënoncuar edhe mjeku Adrian Hoti i cili në një rrëfim ekskluziv për Versus.al pranoi se pavarësisht denoncimit që ai kishte bërë, shqetësimet nuk ishin marrë parasysh dhe prandaj edhe kishte vendosur të largohej nga spitali ku kishte punuar për mbi 20 vite.
Masat e caktuara ndaj të pandehurve, të cilat pritet të rivlerësohen këtë të mërkurë:
-Edmond Gashi, mjek onkolog në spitalin e Onkologjikut– “Arrest shtëpie” - Shpërdorim detyre dhe korrupsion (hetohet edhe për thyerjen e masës së arrestit shtëpiak) pasi shkoi në lokal me të përfunduar seanca në gjykatën e Tiranës.
-Alketa Pere Ymeri mjeke onkolog në spitalin e Onkologjikut – “Detyrim paraqitje” - Shpërdorim detyre dhe korrupsion
-Brikena Qirjazi Ish zv.drejtoreshë e QSUT - “Detyrim paraqitje” - ''Shpërdorim detyre"
- Emiljano Lela Koordinatori pranë onkologjikut - “Detyrim paraqitje” - Shpërdorim detyre
-Drilona Kishta ish-specialist pranë QSUNT banuese në Amerikë - “Detyrim Paraqitje” - Shpërdorim detyre
-Halil Gashi administrator i klinikës Megis, babai i mjekut Gashi – “Detyrim paraqitje” - Fshehje e te ardhurave
-Florian Marku administrator farmacie – “Arrest shtëpie” për akuzën "Kontrabandë ilaçesh". Versus.al







