AKTUALITET /

SPAK zgjeron dosjen e AKSHI-t: Si doli në skenë Elision Jorgji në projektin “Smart Lab”

Sipas materialeve të publikuara, emri i Jorgjit është futur në hetim vetëm pak ditë përpara se Gjykata e Posaçme të miratonte sekuestrimin e një sërë pasurish të lidhura me personat kryesorë të dosjes.

Shkruar nga Versus

SPAK zgjeron dosjen e AKSHI-t: Si doli në skenë Elision Jorgji në

Hetimet për aferën e AKSHI-t po thellohen dhe në dosje është shtuar edhe emri i biznesmenit Elision Jorgji, pronar i kompanisë Albascan, si pjesë e një skeme që dyshohet se ka funksionuar me tenderë të paracaktuar dhe përfitime të favorizuara.

Sipas materialeve të publikuara, emri i Jorgjit është futur në hetim vetëm pak ditë përpara se Gjykata e Posaçme të miratonte sekuestrimin e një sërë pasurish të lidhura me personat kryesorë të dosjes.

Në qendër të kësaj pjese të hetimit qëndron projekti i laboratorëve “Smart Lab” në shkolla.

Sipas dëshmisë së biznesmenes Migena Schroeder, në fillim të vitit 2022 ajo është kontaktuar nga ish-zv/drejtori i AKSHI-t, Daniel Shima, i cili i ka bërë të ditur se projekti ishte caktuar që do të realizohej nga Albascan.

Shima, sipas kësaj dëshmie, i ka kërkuar që të takohej me përfaqësuesin e kompanisë, Elision Jorgjin, duke e lënë të kuptohej se fituesi i procedurës ishte vendosur që më parë.

Kjo dëshmi e vendos Albascan në qendër të dyshimeve për një garë të orientuar përpara hapjes zyrtare të tenderit.

Sipas raportimeve që referojnë dosjen, rasti i “Smart Lab” është një nga shembujt ku SPAK dyshon se procedura publike ka qenë formale, ndërsa vendimi për fituesin është marrë paraprakisht brenda rrethit të AKSHI-t.

Emri i Albascan lidhet edhe me sekuestrimin e një shume rreth 1 milion euro, të përfshirë në listën e pasurive të ngrira nga SPAK, ndërsa kompania rezulton të ketë qenë ndër përfituesit e mëdhenj të tenderëve publikë.

Hetuesit dyshojnë se kjo kompani ka qenë pjesë e mekanizmit të favorizimeve që ka funksionuar përmes AKSHI-t dhe njerëzve të lidhur me të.

SPAK ka zgjeruar hetimet për dosjen e tenderëve të AKSHI-t, ndërsa aktualisht në kërkim janë Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, për të cilët gjykata ka caktuar masën “arrest me burg”. Në arrest shtëpie ndodhet ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ndërsa Hava Delibashi është me detyrim paraqitjeje dhe Erion Ismaili, Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta e kanë të ndaluar daljen jashtë vendit.

Vetëm një ditë më parë, SPAK sekuestroi 74 prona dhe llogari bankare, me vlerë rreth 40 milionë euro, që lidhen me personat nën hetim në këtë dosje. Hetimet, të nisura në vitin 2025, përfshijnë dyshime për shkelje të barazisë në tendera, grup të strukturuar kriminal, korrupsion dhe pastrim parash.

Personat e akuzuar/ Masa e sigurisë

Ergys Agasi-Në kërkim / arrest me burg

Ermal Beqiri-Në kërkim / arrest me burg

Mirlinda Karçanaj-Arrest shtëpie

Hava Delibashi-Detyrim paraqitjeje

Erjon Ismaili-Ndalim i daljes jashtë vendit

Andis Papa-Ndalim i daljes jashtë vendit

Gëzim Hoxha-Ndalim i daljes jashtë vendit

Rogers Rryta-Ndalim i daljes jashtë vendit

Elision Jorgji-Pa masë sigurie

Daniel Shima-Pa masë sigurie

Arjola Koromani-Pa masë sigurie

Emirton Suli-Pa masë sigurie

Gentian Likaj-Pa masë sigurie

7 kompanitë në hetim-Pronarët

Communication Progress-Gentian Likaj

Soft & Solution-Ermal Beqiri

First-Gëzim Hoxha

Fastech-Andis Papa

Horizon-Ermal Beqiri

Fast & Fresh-Andis Papa

EA Solution-Ergys Agasi/Versus.al

 

Poll