Në Gjykatën e Posaçme po mbahet seanca paraprake për aferën e koncesionit të Sterilizimit për të cilën janë marrë të pandehur ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ish-zëvendësi i tij Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj si dhe disa personave të tjerë të akuzuar.
Seanca nisi me rrëzimin e kërkesës së Ilir Beqajt për përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi nga trupa kryesuese. Beqaj pretendoi se Davidhi nuk kishte arsyetuar argumentet për shtimin e akuzës “grup kriminal” ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Ndryshe nga të pandehurit e tjerë që kërkuan gjykim të shkurtuar, Beqaj kërkoi gjykim të zakonshëm me pretendimin se nuk bie pre e presionit për të mos analizuar të gjitha provat një e nga një.
“Akuza është tendencioze, nuk bie pre e presionit të gjykimit të shkurtuar për të mos hapur provat 1 më 1”- mësohet të jetë shprehur Beqaj në seancë.
Trupa gjykuese është tërhequr për vendim lidhur me të pandehurit Saimir Kadiu, Arben Gjata, Petro Mersini, Naile Ajazi dhe Genc Byrazeri të cilët kërkuan gjykim të shkurtuar. Po ashtu gjykim të shkurtuar kërkuan edhe biznesmeni Ilir Rrapaj dhe zëvendësi i Beqajt, Klodian Rrjepaj.
Në seancën e kaluar, pasi gjykatësja u komunikoi edhe shtimin e akuzës për grup kriminal, biznesmeni Ilir Rrapaj pësoi gjendje të fikëti.
Me akuzën e re dhe nga hetimet që kanë zbuluar shkelje për koncesionin 10-vjeçar me vlerë 100 milionë euro, Ilir Beqaj, zëvendësi i tij dhe biznesmeni i sterilizimit që akuzohet për vjedhje të rëndë si grup kriminal, rrezikojnë të vuajnë më shumë vite burg, në rast se shpallen fajtor.
Duke qenë se këta dy të fundit pranuan gjykimin e shkurtuar, tashmë do t’u thjeshtohen procedurat e gjyqit dhe do të përfitojnë uljen e një të tretës të dënimit. Ndryshe nga Beqaj i cili kërkoi gjykim normal dhe rrezikon dënim më të lartë.
Ish-ministri u arrestua në 4 korrik të vitit 2024 nën akuzën e abuzimit me fondet e Bashkimit Europian gjatë kohës që drejtonte agjencinë “SASPAC” e cila ka të bëjë me menaxhimin e fondeve të huaja.
Në komisionin hetimor që u ngrit për të hetuar aferën e Sterilizimit, Beqaj dhe të pandehurit e tjerë u paraqitën për të dhënë llogari para deputetëve. Por dëshmia e Beqajt nuk u arrit të sigurohej për ditë me radhë pasi nuk iu pranua kërkesa e prezantimit me anë të fotove dhe ky i fundit nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve.
SPAK thotë se janë përdorur kosto të rreme të shërbimi në QSUT për vitin 2013, duke vendosur vlerat e barnave dhe medikamenteve mjekësore, që nuk janë pjesë e këtij shërbimi. Kjo kosto është rritur dhe mbivlerësuar në mënyrë të rreme në masën 56.4%. Për këtë aferë janë marrë të pandehur 9 persona. Versus.al








