
Gjykata e Posaçme (GJKKO) i ka kërkuar SPAK-ut të rikualifikojë akuzën për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, ish-zëvendësin e tij Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj.
Në seancën paraprake të zhvilluar ditën e sotme, Flojera Davidhi ka kërkuar që SPAK të regjistrojë edhe akuzën për vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Kjo kërkesë është pranuar nga dy prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Altin Dumani. Avokatët e të pandehurve kanë kërkuar kohë deri më 9 janar për të bërë mbrojtjen.
Në dosjen e hetimeve të mbyllura për “Sterilizimin”, Beqaj dhe Rrjepaj akuzohen për vjedhje duke shpërdoruar detyrën, ndërsa biznesmeni Rrapaj për vjedhje me pasoja të rënda. Me akuzën e shtuar, të tre akuzohen se kanë krijuar grup të strukturuar kriminal.
Gjatë seancës paraprake të zhvilluar sot, biznesmeni humbi ndjenjat në sallën e gjyqit.
Beqaj dhe ish-zëvendësi i tij së bashku me biznesmenin dëshmuan me radhë në komisionin parlamentar hetimor të ngritur për Sterilizimin ku mohuan akuzat e bëra ndaj tyre me argumentin se situata në spitale është shumë më e mirë falë këtij koncesioni.
Të tre të akuzuarit u shoqëruan me pranga në duar në komision. I vetmi që nuk dëshmoi ishte Beqaj, për të cilin u çuan dëm 2 ditë pasi nuk pranonte të jepte dëshminë pa iu pranuar kërkesa e tij mbi paraqitjen e disa fotografive. Versus.al








