
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë sot pretencën për 8 të pandehurit e dosjes hetimore për koncesionin e “Sterilizimit” të cilët kanë kërkuar gjykim të shkurtuar dhe se gjenden fajtorë, u ulet dënimi përfundimtar.
Konkretisht dënimet për personat e akuzuar:
1-Ish-zv ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj- 10 vite burg, (me gjykim të shkurtuar zbret në 8 vite e 8 muaj).
2- Biznesmeni Ilir Rrapaj- 10 vite burg (me gjykim të shkurtuar zbret në 6 vite e 8 muaj).
3- Marsela Serjani- 3.7 vite burg (me gjykim të shkurtuar zbret në 2.4 vite).
4- Arben Gjata- 2 vite burg, konvertohet në shërbim prove
5-Saimir Kadriu- 3.6 vite burg
6-Petraq Mersini- 3.6 vite burg
7-Genc Byrazeri- 2 vite burg, konvertohet në shërbim prove
8- Naile Ajazi- 2 vite burg, konvertohet në shërbim prove
Ndërkohë për ish-ministrin Ilir Beqaj gjykimi po bëhet veçmas pasi ai nuk ka pranuar gjykim të shkurtuar dhe ka kërkuar ballafaqim të çdo prove të paraqitur nga SPAK. Muaj më parë të pandehurve Beqaj, Rrjepaj dhe Rrapaj iu shtua edhe akuza për grup kriminal në bashkëpunim.
Kosotja e sterilizimit të seteve kirurgjikale ishte planifikuar në koncesion që të mos e kalonte shifrën e 100 milionë eurove, por deri më tani vlera ka kapur shifrën e 15.3 miliardë lekëve, plot dyfishi i asaj që ishte planifikuar. Në pretencën e dhënë, SPAK kërkon edhe konfiskimin e kompanisë "Sani Service" në pronësi të Ilir Rrapajt, e cila fitoi koncesionin.
Ndryshe nga të pandehurit e tjerë që kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, ish-ministri Ilir Beqaj vijon të pretendojë se është i pafajshëm dhe se ky koncesion u ka ardhur në ndihmë qytetarëve shqiptarë. Versus.al







