Ndërsa institucionet luajnë herë “ping-pong” e herë “kukafshehtazi” me përgjegjësinë për eksportin e 816 ton mbetje të rrezikshme toksike nga Shqipëria drejt Tajlandës, prokurorisë së Durrësit i ka mbetur “topi në derë” për të vijuar hetimet sesi la portin një anije e mbushur me 100 kontenierë pa u ‘vënë re nga askush”…
Por kësaj here, “topi” duket se do të ketë dhe arbitra të fortë për të vëzhguar linjën e hetimeve, pasi palë tashmë në hetim është dhe Zyra Europiane Kundër Mashtrimit. OLAF është një agjensi e Bashkimit Europian që “të bën gropën” në raste mashtrimi kundër buxhetit të BE-së, korrupsionin dhe keqpërdorimet serioze brenda institucioneve evropiane dhe në hetimet e jashme ku përfshihet si palë.

Ndërkohë grupi hetimor i këtij skandali mësohet se ka marrë në pyetje drejtuesen e kompanisë “Sokolaj”, në emër të së cilës është bërë eksporti i mbetjeve, për të mësuar origjinën e tyre. Nga hetimet rezulton se kompania Sokolaj ka qenë përgjegjëse për eksportin e këtyre mbetjeve, të cilat i ka blerë nga KURUM. Vetë kompania e metalurgjisë në Elbasan mohon të ketë eksportuar mbetje.
Eksportin me letra duket se e ka bërë kompania “Sokolaj” që rezulton se këtë proces e kryen me mbetjet e metalurgjisë të cilat riciklohen për të nxjerrë zink, duke i marrë ato edhe nga vende të tjera të Ballkanit, si Maqedonia e Veriut apo Kroacia. Ndërkohë që mësohet se drejtuesja e kompanisë eksportuese ka pranuar se dy ngarkesat e nisura drejt Tajlandës, njëra prej të cilave u bllokua në portin e Singaporit, i ka blerë nga kompania KURUM si oksid hekuri.
Faturat e blerjes mësohet se janë sekuestruar nga prokuroria, e cila tashmë po heton edhe blerjen e mbetjeve nga “Sokolaj sha” te kompania me seli në Kroaci “GS Minerals D.O.O”, një procedurë që është gjithashtu nën hetim.
Edhe KURUM, që më parë mohoi të ketë kryer transport lëndësh të rrezikshme, ka pranuar se i ka shitur kompanisë “Sokolaj” ngarkesën e deklaruar si oksid hekuri, por që dyshohet të jetë pluhur furrash çeliku. “Sokolaj shpk” dyshohet të ketë raporte të hershme me kompaninë “Kurum” dhe prej vitesh merr prodhime të furrave të kompanisë turke për eksport në vende të ndryshme të botës
Në hetim janë vënë dhe disa autoritete shqiptare që nga doganat, por edhe porti i Durrësit për mënyrën se si është trajtuar ngarkesa me mbetje, e cila në 4 korrik ka lënë kalatën e këtij porti, për tu nisur drejt Tajlandës. Kjo ngarkesë dyshohet se nuk e kaloi kontrollin me skaner, pasi duket se ishte klasifikuar si lëndë rifuxho.
Rreth një javë më parë, “Bloomberg” raportoi për here të parë një shqetësim të organizatave ambientaliste, të cilat kishin pikasur se, një ngarkesë me mbi 800 tonë mbetje të dala nga shkrirja e metaleve në furrat me hark elektrik, të konsideruara si “të rrezikshme”, kishte dalë nga Porti i Durrësit, me destinacion Tajlanden. Kjo ngarkesë pritej të mbërrinte në datë 20 gusht 2024, por autoritetet tajlandeze, pas alarmit të ngritur, refuzuan ta pranojnë këtë ngarkesë. Më tej, në median shqiptare u raportua se një ngarkesë e ngjashme, e nisur nga Porti i Durrësit dhe mbërritur në Kinë, në prill të këtij viti, ishte bllokuar nga autoritetet e Pekinit dhe kanë vendosur që kontenierët të rikthehen sërish në pikën e nisjes (Shqipëri).
Skandali i zbuluar nga organizatet dhe mediat ndërkombëtare solli gjatë së mërkurës dhe reagimet e institucioneve shqiptare.
E para që reagoi disi ishte Ministria e Mjedisit. Në prononcim për një media shqiptare, kjo ministri u shpreh:“Vëllimet e mallrave të cilat dyshohen se përmbajnë mbetje të dala nga procesi teknologjik i realizuar nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë kompleksit metalurgjik në Elbasan, janë ngarkuar në njësi kontenerike pranë Terminalit të Mallrave Rifuxhio në Durrës, i cili operohet nga kompania koncesionare gjermane EMS”, deklaroi Ministria e Mjedisit, duke iu referuar kompanisë turke “Kurum”.
Por, ky pretendim i Ministrisë së Mjedisit u hodh poshtë nga kompania “Kurum”. Në një deklaratë për median, të shpërndarë mesditën e 21 Gushtit, shoqëria, pasi sqaroi procedurat e licensimit të mbetjeve të prodhuara nga aktiviteti i saj, theksoi edhe se:
“Kurum International asnjëherë nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme, ndaj edhe në këtë rast kjo ngarkese për të cilën bëhet fjalë nuk është eksportuar nga Kurum International. Ky fakt është lehtësisht i verifikueshëm pranë institucioneve përkatëse, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe porteve shqiptare”.
Në deklaratën e saj, “Kurum” mohon “eksportin e mbetjeve të rrezikshme”, por ajo nuk thotë asgjë për shitjen e këtij produkti. Pra, “Kurum” thotë se nuk e ka eksportuar, por nuk thotë asgjë nëse ai produkt i nisur drejt Tajlandës është prodhuar në furrat e tij.
Drejtoria e Përgjithshme të Doganave theksoi në një njoftim të bërë publik se:“Rasti i cituar nga media nuk është eksport nga Shqipëria, por një tranzit ndërkombëtar i produktit koncentrat zinku nga Kosova. Pra, produkti është koncentrat zinku me origjinë nga Kosova me firmë dërguese/eksportuese Apelbaum shpk me adresë Rr. Fehmi Agani, Prishtinë/Kosovë; Firma pritëse/importuese është ACHRO AG me bazë në Steinhausen Switzerland. Firma zvicerane ACHRO AG është urdhëruese sipas BILL OF LOADING (B/L) e kompanisë detare MAERSK për transportin e këtij produkti (LOW GRADE ZINC CONCENTRATE) me destinacion firmën pritëse GUANGXI LOGISTICS INDUSTRY INTERNATIONAL TRADE CO. LTD, NANNING, China”, deklaron autoriteti doganor.
Në njoftimin e Doganave bie në sy që i referohet “eksportit në Kinë”, ndërkohë sqarimi nuk jep asnjë të dhënë mbi dyshimet për transport mbetjesh të rrezikshme me pikënisje Portin e Durrësit dhe destinacion Tajlandën.
Ndërkohë këtë të enjte, Dogana e Kosovës nga ana saj rrëzon këto adresime të bëra nga homologia e saj në Tiranë, duke theksuar se është e vështirë të përcaktohet saktësia e rrjedhës së ngjarjeve, por se dogana e Kosovës nuk ka eksport të mbetjeve të rrezikshme. Kjo doganë saktëson se janë identifikuar eksporte që referohen në deklaratën për media nga Dogana e Shqipërisë, dhe produkti në fjalë, siç edhe është theksuar nga Dogana e Shqipërisë është koncentrat zinku dhe jo mbetje. Për këtë produkt pronari i subjektit eksportues ka ofruar test raportet nga kompania e mirënjohur e testimeve te industrisë SGS”, thuhet nga Dogana e Kosovës.

Opozita në Shqipëri ka reaguar rreth këtij skandali, duke drejtuar gishtin jo vetëm tek autoritetet portuale, doganore e hetimore, por duke kërkuar dhe hetim nga SPAK, pasi sipas saj, pas kësaj ngarkese me lëndë toksike ka “një urdhër nga lart”. Deri më tani, kur hetimet janë në dorë të Prokurorisë së Durrësit, ka një “zë” që do të ngelet pa marrë në pyetje e pa dëshmuar për shkak të moskopetencës. Bëhet fjalë për ish-drejtorin e Portit të Durrësit, Pirro Vëngu, i cili pak ditë para se të plaste ky skandal “u katapultua” nga drejtues i një institucioni të rëndësisë së veçantë në vend, siç është porti i Durrësit, në ministër të Mbrojtjes.








