
Korçë- Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka çuar për gjykim dosjen në ngarkim të Bledar Duros, ish-mësuesit të artit në shkollën 9 vjeçare “Sotir Gurra” i cili mbahet nën arrest për ngacmim seksual të nxënëseve të tij të mitura.
Vitin e kaluar prindërit e dy nxënëseve denoncuan në polici mesazhet me përmbajtje seksuale të cilat Bledar Duro ua kishte dërguar vajzave të tyre nëpërmjet aplikacionit “Ëhatsapp”. Vetë nxënëset e mitura kanë deklaruar në polici se komunikimet e mësuesit të lëndës së artit kishin në përmbajtje ngacmime dhe kërkesa që u cënonin dinjitetin.
Prokuroria administroi prova të shumta, përfshirë kqyrjen e aparateve celulare të të miturave dhe të të pandehurit, ekspertiza teknike të bisedave, si dhe deklarimet e vajzave të marra në prani të psikologëve dhe përfaqësuesve ligjorë.
Ekspertiza psikologjike tregoi se kjo ngjarje ka shkaktuar gjendje ankthi dhe stresi tek të miturat 14 vjeçare të cilave u është dhënë mbështetje e specializuar terapeutike. Në përfundim të hetimeve, ndaj mësuesit Bledar Duro rëndon akuza për kryerjen e veprës penale “Ngacmim seksual ndaj fëmijëve”, krim që ligji shqiptar e cilëson si vepër me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Versus.al







