Çfarë do të gjeni në brendësi
*Sot në Bruksel u mbajt konferenca e 6-të Ndërqeveritare me Bashkimin Europian për hapjen e 4 kapitujve të tjerë në procesin e negociatave për anëtarësim në BE. I pranishëm së bashku me delegacionin shqiptar ishte edhe kryeministri Edi Rama i cili së bashku me ministren e Danimarkës Marie Bjerre drejtoi takimin. *Konkretisht kapitujt e hapur për negociata janë: “Agjenda e gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme”, duke përfshirë kapitujt 14 (Politika e transportit), 15 (Energjia), 21 (Rrjetet transevropiane) dhe 27 (Mjedisi dhe ndryshimet klimatike). *Komisionerja për zgjerimin e BE, Marta Kos vlerësoi punën e bërë nga Shqipëria në procesin e përafrimit me rregullat e Bashkimit Europian ndërsa theksoi nevojën për të përfshirë edhe Kuvendin në këtë proces. Sipas saj në mënyrë që procesi të ketë përparim, duhet që Shqipëria të vazhdojë me rezultatet në reformat e ndërmarra, sidomos në Reformën e Drejtësisë. *Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama tha se është fat i madh për Shqipërinë që të ketë afër vendet e BE për të ndihmuar në një shtetndërtim të fortë ku respektohet fjala dhe liritë e qytetarëve. Ndërsa nuk i kurseu batutat, Rama u shpreh besimplotë se brenda këtij viti do të hapet grupkapitulli i fundit i negociatave për anëtarësim në BE.
"Duhen rezultate me reformat", Marta Kos: Të përfshihet edhe kuvendi në negociatat për anëtarësim në BE
Komisionerja për zgjerimin e BE, Marta Kos e cilësoi “mbresëlënës” përparimin e Shqipërisë sa i takon çeljes së grupkapitujve për negociatat e anëtarësimit. Ajo vlerësoi ekipin e vendit tonë dhe kërkoi që të vazhdohet me këtë ritëm.
Por vuri theksin për rezultate në reformën në drejtësi si dhe përfshirjen e parlamentit dhe shoqërisë civile në këtë proces të anëtarësimit.
“Shpejtësia e Shqipërisë është mbresëlënëse. Ende nuk kam bërë një vit në këtë detyrë dhe është hera e katërt që hapim kapitujt. Kjo na çon në 5 grupkapituj dhe 28 kapituj të çelur. Ka mbetur edhe një dhe s’kam dyshim që do ta bëjmë këtë gjë së shpejti. Shtetet anëtare janë të përkushtuar që të shënojnë progress kur të përmbushen kriteret. Po të përdorja termin, do të jetë më shpejt, lart e fort dhe një punë në ekip. Ka një trekëndësh të fortë që mbështet procesin e zgjerimit në tërësi. Ky rezultat është rrjedhojë e punës së autoriteteve shqiptare që kanë çuar para reformat, dhe sidomos gjatë këtij viti. Reformat që u kërkojnë kandidatëve kërkojnë ndryshime themelore. Vendi juaj po tregon se mund të bëhet. Dhe se BE e shpërblen këtë ndryshim pozitiv. Vazhdoni kështu me këtë ritëm duke u siguruar që të përfshini parlmentin, shoqërinë ciivle …. Sidomos për fusha kritike si reforma në drejtësi pavarësia gjyqësore. Në momentin që të çelim të gjithë, do të nisi menjëherë që t’i mbyllim sa më shpejt dhe brenda 2027. Agjenda e gjelbër, reformat që përmban ndihmojnë që rritja ekonomike e Shqipërisë të shkrojë krah për krah me mbrojtjen e pasurisë natyrore të Shqipërisë.”- u shpreh Kos ndër të tjera. Versus.al
"BE, perandori me të cilën martohemi me dëshirë", Rama batuta në Bruksel: Me vikingët në krah, nuk na pret njeri rrugën
Kreu i qeverisë Edi Rama mbajti fjalën e tij në konferencën e 6-të ndërqeveritare me BE-në në kuadër të hapjes së 4 kapitujve të tjerë të negociatave për anëtarësim. Teksa tha se Shqipëria nuk ka rrugë tjetër përveçse BE-së, Rama nuk ngurroi të bënte edhe batuta duke e cilësuar Bashkimin Europian si një ‘perandori” me të cilën Shqipëria dëshiron të ‘martohet me dëshirë”.
“Presim me padurim të çelim grupkapitullin e fundit në mbyllje të këtij viti. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me marrjen e një shpërblimi njëherë e përgjithmonë, e dimë që ka sfida dhe duhen bërë shumë përpjekje. Por edhe e dimë se nuk ka asnjë rrugë tjetër. Më së fundmi, kjo është hera e parë në histori për ne që zgjedhim lirisht me kë duam të martohemi. Jemi martuar me detyrim me perandoritë e tjera herët e shkuara. Kjo është një perandori, pjesë e së cilës duam të jemi. Perandori sigurie ku më së fundmi qytetarët tanë do sigurohen që liritë dhe të drejtat e tyre nuk do merren nga askush që vjen më pas”- u shpreh kreu i qeverisë.
Në vijim të batutave, Rama tha se barometri tregonte se populli i Danimarkës e mbështet fort anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe tha me batutë që me “vikingët” në krahun tonë, nuk do guxojë njeri të bllokojë rrugën e anëtarësimit.
“Ministrja këtu ka një ditë të gjatë para saj për të vijuar me detyrimet e presidencës. Dua të them diçka për të cilën na erdhi vërtet shumë mirë kur pamë barometrin që përmendi Marta dhe kur kuptuam që populli danez është mes mbështetësve më të mëdhenj. Të kesh nga ana jonë vikingët është diçka që na jep më shumë siguri dhe duhet ta hapim këtë në gjithë Europën që askush të mos guxojë të na presë rrugën. Sepse mes nesh dhe vikingëve është një bashkim i frikshëm forcash”- shtoi Rama. Versus.al
Hapat tjetër grupkapitull i negociatave me BE, Kos: Gati t'i përmbyllim brenda 2027-ës! Rama: Faleminderit që na rrini mbi kokë
Komisionerja për zgjerimin Marta Kos priti sot në Bruksel kryeministrin Edi Rama dhe delegacionin shqiptar për të konfirmuar hapjen e grupkapitullit për konferencën e 6-të Ndërqeveritare lidhur me negociatat për anëtarësim në BE.
Kos prezantoi para Ramës atë që e quajti “muri i zgjerimit” ku me të kuqe ishin kapitujt ende të pahapur, me të verdhë ato të hapur dhe me të gjelbër ata të mbyllur përkohësisht. Nga ana tjetër Rama tha se kanë mbetur edhe 5 grupkapituj për t’i hapur të gjitha, gjë që u konfirmua nga komisionerja e cila u shpreh se plani është që në vitin 2027 të përmbyllet procesi i negociatave dhe më pas të kryhet anëtarësimi i vendit në BE.
Pjesë nga takimi:
Marta Kos: I dashur Edi ky është muri i zgjerimit. Sigurisht jemi të përqendruar tek kjo pjesë sepse ky është vërtet një përjashtim i mënyrës sesi e bënim këtë. Shqipëria ka ecur kaq shpejt! Kur erdha në dhjetor, thuajse gjithçka ishte me të kuqe. E kuqja tregon që nuk është hapur ende, e verdha tregon që është hapur dhe e gjelbra që është mbyllur provizorisht. Mesa duket kemi hapur një tjetër grupkapitujsh. Keni nderin që teksa unë heq të kuqen, ju do të vendosni ngjyrën e re.
Rama: Kanë mbetur edhe pesë kapituj për t’i hapur të gjitha.
Marta Kos: Po dhe do ta bëjmë brenda këtij viti siç kemi planifikuar. E mbështes planin tuaj për të përmbyllur negociatat deri në vitin 2027 dhe pastaj t’ju kemi në BE sa më shpejt të jetë e mundur.
Rama: Edhe unë dua të falenderoj ekipin tuaj në Shqipëri që na rri gjithmonë mbi kokë për t’u siguruar që nuk do të shpërqendrohemi dhe që të mos e mendojmë në përmasë më të madhe për veten se ç’duhet. Versus.al
Nga transporti te mjedisi, Shqipëria hap sot 4 grupkapituj të negociatave për anëtarësim në BE (Agjenda)

Shqipëria do të hapë sot edhe katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian me ftesë të Danimarkës që mban aktualisht presidencën e BE. Konferenca e 6-të Ndërqeveritare do të mbahet në Bruksel dhe do të shërbejë për të hapur negociatat e anëtarësimin mbi grupin 4 “Agjenda e gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme”, duke përfshirë kapitujt 14 (Politika e transportit), 15 (Energjia), 21 (Rrjetet transevropiane) dhe 27 (Mjedisi dhe ndryshimet klimatike).
"Mirëmëngjes dhe me padurimin e sotëm për të hapur edhe 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në BE, që i shtohen 24 kapitujve të hapur në vetëm 11 muaj, një ritëm rekord në procesin e integrimeve europiane, ju uroj një ditë të mbarë"- shkroi Rama mëngjesin e sotëm në rrjetet sociale.
Takimi pritet të drejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Danimarkës për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre. Agjenda parashikon që Konferenca Ndërqeveritare të nisë në orën 08:00, teksa konferenca për shtyp është planifikuar rreth orës 09:15 dhe Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së do të pasojë në orën 10:00.
Së pari do të miratohet agjenda dhe procesverbalet e konferencave ndërqeveritare të mbajtura në prill dhe maj të këtij viti. Kjo do të pasohet nga fjalimet hapëse, së pari nga ministrja e Danimarkës Bjerre në emër të presidencës së Këshillit të BE-së, pastaj nga kryeministri Rama dhe hapja e negociatave për grupin 4.
Ministrja e Danimarkës do të paraqesë të ashtuquajturin “Qëndrim të Përbashkët të BE-së”, siç është rënë dakord nga BE-ja, dhe do t’i kërkojë kryeministrit Rama nëse Shqipëria mund të bjerë dakord me hapjen e këtij grupi. Në mbyllje do të ketë një fjalim nga secili prej drejtuesve të konferencës. Versus.al







