
Fier- Një 38 vjeçar në Lushnjë, i identifikuar si Marin Leka është arrestuar nga policia pasi akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Mësohet se Leka i kishte premtuar 500 mijë lekë të vjetra një personi për t’i blerë votën në favor të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit. Policia ka sekuestruar kartën e ID të personit të cilit i ishin premtuar shuma parash për votën.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin M. L., 38 vjeç, banues në Lushnjë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje" dhe “Marrja dhe përdorimi i paligjshëm i dokumentit të identifikimit”.
Nga hetimet e kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, dyshohet se shtetasi M. L. i ka marrë një shtetasi, kartën e identitetit, si dhe i ka premtuar dhënien e një shume parash, dyshohet me qëllim blerjen e votës në favor të një subjekti politik, pjesëmarrës në zgjedhjet parlamentare të datës 11.05.2025”- njofton policia.
Dosja hetimore i kalon SPAK-ut në kuadër të task-forcës së ngritur nga Prokuroria e Posaçme për parandalimin dhe ndëshkimin e krimeve zgjedhore. Versus.al








