AKTUALITET /

Tentoi të kalonte kufirin në Bllatë me 21 dokumente të falsifikuara për 21 persona, në pranga 49-vjeçari nga Bullgaria

Policia ka finalizuar operacionin “Identiteti”, duke arrestuar një 49-vjeçar nga Bullgaria i cili u kap me 21 dokumente të dyshuara të falsifikuara për pajisjen e shtetasve me pasaporta bullgare, ndërsa janë proceduar edhe dy zyrtarë vendorë të dyshuar për përfshirje në falsifikim dokumentesh.

Shkruar nga Versus

Tentoi të kalonte kufirin në Bllatë me 21 dokumente të

Policia ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Identiteti”, i zhvilluar për rreth një muaj me metoda speciale hetimi, duke zbuluar një rast të dyshuar të falsifikimit të dokumenteve për qëllime përfitimi pasaportash të huaja.

Në kuadër të operacionit, në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë është arrestuar një 49-vjeçar nga Bullgaria,  Eduart Tola, i cili tentoi të kalonte kufirin me 21 dokumente të dyshuara të falsifikuara për 21 shtetas të ndryshëm, me qëllim pajisjen e tyre me pasaporta bullgare.

Nga hetimet e kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Dibër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe nën drejtimin e Prokurorisë, u zbardh se dokumentet dyshohet se ishin pjesë e një skeme më të gjerë falsifikimi.

Në lidhje me rastin, janë proceduar penalisht edhe administratori aktual dhe ish-administratori i njësisë administrative Ostren, në Bashkinë Bulqizë, të dyshuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre.

Sipas policisë, këta shtetas dyshohet se kanë lëshuar dokumente të gjendjes civile në mënyrë të paligjshme, me qëllim pajisjen e personave të ndryshëm me dokumente për përfitimin e pasaportave bullgare.

Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari dhe për dokumentimin e plotë të rastit, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “IDENTITETI”, i ndjekur prej rreth 1 muaji, me metoda speciale hetimi.

Tentoi të kalonte kufirin me 21 dokumente të dyshuara të falsifikuara për 21 shtetas të ndryshëm, me qëllim pajisjen e tyre me pasaporta bullgare, vihet në pranga 49-vjeçari nga Bullgaria.

Procedohen penalisht për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh administratori aktual dhe ish-administratori i njësisë administrative Ostren, Bashkia Bulqizë.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, bazuar në informacionet e siguruara se disa shtetas falsifikonin dokumente të gjendjes civile me qëllim pajisjen e personave të ndryshëm me vërtetime sikur janë banorë të njësisë administrative Ostren dhe më pas këto dokumente do t’i dërgonin në Bullgari, me qëllim pajisjen me pasaporta bullgare, kanë nisur hetimet proaktive, të ndjekura me metoda speciale hetimi, për rreth 1 muaji, për goditjen e këtij grupi.

Si rezultat i hetimeve të kryera, strukturat e DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë Dibër, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Identiteti”, ku, si rezultat, në dalje të PKK Bllatë, u bë ndalimi i shtetasit E. T., 49 vjeç, banues në Sofje, Bullgari.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në automjetin që ky shtetas drejtonte, iu gjetën 21 dokumente të dyshuara të falsifikuara për 21 shtetas të ndryshëm, me qëllim pajisjen e tyre me pasaporta bullgare.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:

N. S., 53 vjeç, banues në fshatin Ostren, me detyrë administrator i njësisë administrative Ostren, Bashkia Bulqizë;

B. M., 62 vjeç, banues në fshatin Lejçan, ish-administrator i njësisë administrative Ostren, Bashkia Bulqizë.

Këta dy shtetas gjatë ushtrimit të detyrës dyshohet se kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, duke lëshuar dhe falsifikuar dokumente të gjendjes civile për persona të ndryshëm, me qëllim përfitimin e pasaportave të shtetit bullgar.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme./Versus.al

 

 

Poll