Grupi i protestuesve të arrestuar gjatë protestës së Partisë Demokratike të së premtes, ku u përdorën mjete piroteknike dhe dyshohet edhe përdorim i molotovëve, pritet të dalë sot para Gjykatës së Tiranës për shqyrtimin e masës së sigurisë.
Seanca është planifikuar të zhvillohet në orën 12:30, ku gjyqtari Enkel Peza do të vendosë për fatin e 11 të arrestuarve. Prokuroria ka kërkuar për 5 prej tyre masën “arrest me burg”, duke e konsideruar rastin më të rëndë për shkak të akuzave të ngritura.
Sipas hetimeve, protestuesit u kapën në flagrancë gjatë protestës, ndërsa policia ndërhyri për të shpërndarë turmën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Autoritetet sekuestruan gjithashtu dhjetëra mjete të dyshuara si të përgatitura për përdorim gjatë tubimit.
Ndaj të arrestuarve rëndojnë disa akuza, përfshirë “goditje për shkak të detyrës”, “shkatërrim prone me zjarr”, “prishje të qetësisë publike”, “kundërshtim të punonjësit të rendit” dhe “mbajtje pa leje e mjeteve të rrezikshme”.
Në protestat e mëparshme të opozitës, gjykata ka vendosur shpesh masa më të lehta për protestuesit e ndaluar, ndërsa këtë herë Prokuroria vlerëson se provat janë më të forta për disa prej të arrestuarve.
Ndërkohë, Partia Demokratike ka kallëzuar penalisht ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari dhe drejtues të Policisë së Shtetit, duke i akuzuar për tejkalim kompetencash dhe përdorim të forcës gjatë protestës.
Sipas PD, kallëzimi përfshin disa vepra penale, mes tyre “shpërdorim detyre”, “goditje për shkak të detyrës”, “pengim i të drejtës së tubimit” dhe “veprime arbitrare”, duke pretenduar se veprimet e policisë kanë qenë të padrejta ndaj protestuesve.
Hetimet dhe procesi gjyqësor për ngjarjet e protestës pritet të vijojnë në ditët në vijim./Versus.al
Emrat e të arrestuarve janë:
-Klemend Çuçka
-Bujar Tusha
-Henri Shapllo
-Mirvet Toçilla
-Igball Domi
-Semi Bici
-Bardhyl Ndou
-Gentjan Tuga
-Edison Shyti
-Sokol Bajraktari
-Ernest Kapo

