AKTUALITET /

Tentuan të vrisnin Durim Bamin dhe 2 persona të tjerë, SPAK kërkon 56 vite burg total për 5 të pandehurit! Mes tyre dhe vëllai i ish-deputetit socialist Eduard Ndreca

Në periudhën maj-korrik 2020, Albert Zaja dhe Edison Muçeku kanë siguruar mjetet për vrasjen e Hamza Terziut, ndërsa gjatë muajve korrik-gusht 2020, edhe Elvis Ndreca ka siguruar mjetet për vrasjen e Durim Bamit

Shkruar nga Versus

Tentuan të vrisnin Durim Bamin dhe 2 persona të tjerë, SPAK

SPAK  ka dhënë konkluzionet përfundimtare duke paraqitur pretencën për një tjetër fraksion të dosjes “Revanshi”.

Në pretencën për GJKKO, SPAK kërkon në total 56 vite burg për 5 të pandehur, mes të cilëve dy të afërm të ish-deputetit socialist Eduard Ndreca.

Konkretisht, për ish-efektivin e RENEA-s, Adrian Pikli kërkohet dënimi me 10 vite e 6 muaj burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar zbret në 7 vite.

Për Edison Muçekun SPAK kërkon 9 vite burg, që me gjykim të shkurtuar reduktohen në 6 vite. Të njëjtin dënim kërkon edhe për Elvis Ndrecën, djalin e xhaxhait të ish-deputetit Eduard Ndreca, për të cilin 9 vitet burg zbresin në 6 vite.

Për Armando Ndrecën, vëllain e ish-deputetit socialist Eduard Ndreca, SPAK kërkon 15 vite burg, të cilat me gjykim të shkurtuar reduktohen në 10 vite. Ndërsa për Deivis Bajramajn kërkohen 12 vite burg, që zbresin në 8 vite.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale “grup i strukturuar kriminal”, “kultivim i bimëve narkotike”, “armëmbajtje pa leje” dhe “sigurim i kushteve për të kryer vrasje”.

Sipas dosjes së SPAK, më 4 nëntor 2020, në Urën e Tapizës në Fushë-Krujë, Albert Zaja dhe persona të tjerë kanë tentuar të vrasin me armë zjarri Durim Bamin dhe Ervin Kodrën.

Hetimet pretendojnë gjithashtu se në periudhën maj-korrik 2020, Albert Zaja dhe Edison Muçeku kanë siguruar mjetet për vrasjen e Hamza Terziut. Ndërsa gjatë muajve korrik-gusht 2020, edhe Elvis Ndreca ka siguruar mjetet për vrasjen e Durim Bamit.

Sipas SPAK, në tetor 2020 Armando Ndreca ka organizuar dhe financuar grupin që prodhoi dhe shiti 243 kilogramë kanabis në Lezhë. Ndërkohë, gjatë viteve 2020-2021, Deivis Bajramaj dhe Adrian Pikli dyshohet se janë përfshirë në tregtinë e paligjshme të armëve dhe municioneve, duke ua shitur ato edhe personave me precedentë penalë.

Për Albert Zajën, i hetuar në të njëjtën çështje, dosja është veçuar dhe po ndiqet në një procedim të ndarë. Versus.al

 

 

 

Poll