Korçë- Policia e Pogradecit ka arrestuar Edison Agollin, 22-vjeçarin e shpallur në kërkim për bashkëpunim me vëllain e tij dhe 2 persona të tjerë, të cilët tentuan të vrisnin Brian Syzon disa javë më parë.
Në pranga ka rënë edhe vetë i plagosuri Syzo pasi ndaj tij Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë në vitin 2023 për dënim me 3 vite e 4 muaj burg për shitjen e lëndëve narkotike.
Edison Agolli akuzohet për veprën penale të “vrasjes me paramendim e kryer për interes, hakmarrje” e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim. Njëkohësisht, krahas ngjarjes së ndodhur në Pogradec, arrestimi i Agollit lidhet edhe me vendosjen e kamerës në afërsi të IEVP Drenovë për të parë lëvizjet e Syzos.
Më herët në pranga kanë rënë Nikolla Agolli dhe shoku i tij David Prifti. Ndërsa në kërkim është ende Meardi Berberi, i cili njihet si “i rrezikshmi i Pogradecit”. Versus.al

