AKTUALITET /

Thellohet verifikimi i integritetit të policëve, Rrumbullaku firmos urdhrin për vetëdeklarimin

Procesi i vetëdeklarimit do të zgjasë deri më datë 30 qershor dhe nëse ka pasaktësi, policët do pushohen nga puna.

Shkruar nga B.V
Thellohet verifikimi i integritetit të policëve, Rrumbullaku firmos
Drejtori i policisë së shtetit, Muhamet Rrumbullaku

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka firmosur urdhrin e plotësimit të formularit të vetëdeklarimit të efektivëve me qëlim thellimin e procesit të verifikimit të integritetit të policëve të shtetit.

Pasi firmosi urdhrin, Rrumbullaku u shpreh se kushdo që ka shkelur ligjin dhe betimin e bërë për të thënë të vërtetën në procesin e vetëdeklarimit, nuk do të ketë më vend në policinë e shtetit.

“Integriteti i shëndoshë i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe pastrimi i strukturave nga elementë brenda nesh, të cilët shkelin ligjin dhe betimin, është një proces prioritar dhe i rëndësishëm. Askush që cenon besnikërinë ndaj uniformës së shenjtë të Policisë së Shtetit nuk do të ketë vend në strukturat e saj. Kam bindjen e plotë se, organizata e Policisë së Shtetit ka forcën dhe energjinë e duhur pozitive për të izoluar dhe larguar nga radhët e saj çdokënd, që devijon nga misioni i ruajtjes së rendit e sigurisë publike dhe lufta e pakompromis ndaj krimit”- tha Rrumbullaku.

Procesi i verifikimit të integritetit do të nisë me vetëdeklarimin e punonjësve të Policisë së Shtetit lidhur me të dhënat për sigurinë si:

·Dënimi ose jo me vendim gjyqësor të formës së prerë nga autoritetet gjyqësore shqiptare ose të huaja, apo me vendim gjyqësor jopërfundimtar për një çështje penale të pazgjidhur me vendim gjyqësor të formës së prerë;

· Shkelja ose jo e rregullave të sigurisë së informacionit të klasifikuar dhe tentimi ose jo i kryerjes së aktivitetit të paautorizuar në sistemet e komunikimit të informacionit të klasifikuar;

· Qenia ose jo në hetim ose gjykim nga autoritetet shqiptare ose të huaja për vepra penale;

· Qenia ose jo i ndaluar ose arrestuar nga organet ligjzbatuese shqiptare ose të huaja për vepra penale;

· Caktimi ose jo i ndonjë mase shtrënguese të sigurisë personale;

· Lëshimi ose jo i një urdhri kërkimi kombëtar ose ndërkombëtar për vepra penale;

· Pasja ose jo e kontakteve të papërshtatshme, komunikimeve elektronike ose çfarëdolloj mënyre tjetër takimi apo komunikimi të qëllimshëm, me persona të përfshirë në krimin e organizuar;

· Pranimi apo shkëmbimi, ose jo, i parave, favoreve, dhuratave ose pasurive me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Ky proces do të zgjasë deri më datë 30 qershor të këtij viti dhe në rast të plotësimit të pasaktë të të dhënave në formularin e vetëdeklarimit, efektivët do të pushohen nga puna.

Procesi i vetëpastrimit të policisë së shtetit, është shumë i domosdoshëm duke parë sjellë në vëmendje edhe deklaratën e bërë nga kreu i SPAK, Altin Dumani gjatë raportimit të tij në KLP ku shprehej se ka zyrtarë të lartë të policisë që bashkëpunojnë me krimin e organizuar. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: