Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të 14 të pandehurve, mes tyre edhe Emiljano Shullazi. SPAK ka zbërthyer rrahjen brutale që iu bë vite më parë bashkëshortit të gjyqtares së Apelit për Krime të Rënda, Saida Dollani.
Sipas asaj që njofton SPAK, në kuadër të njër grupi të strukturuar kriminal të drejtuar prej Shullazit, ky i fundit ka goditur bashkëshortin e gjyqtares Dollani. Kjo pasi gjyqtarja ishte anëtare e një trupe gjykuese, e cila gjykonte një cështje penale në ngarkim të Shullazit.
Gjyqtarja Dollani, ka qenë pjesë e trupës që ka shqyrtuar dosjen “Shullazi” dhe nuk pranoi të largohej edhe pasi i dhunuan e kërcënuan me arme bashkëshortin Kristaq Prifti.
"I pandehuri Emiljano Shullazi, në bashkëpunim me persona të tjerë, me veprimet e tij të kundraligjshme dhe të drejtëpërdrejta, të kryera me dashje gjatë katërmujorit të parë të vitit 2019, si dhe veprimtari e konkretizuar më datë 23.04.2019, 2021, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal të drejtuar prej tij ka goditur një pjesëtar të familjes së një gjyqtareje, anëtare e një trupe gjykuese në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, e cila gjykonte një cështje penale ndër të tjera edhe në ngarkim të këtij të pandehuri. Ky i fundit, për këtë çështje gjyqësore, kishte kërkuar përjashtimin e kësaj gjyqtareje", thuhet në njoftimin e SPAK.







