
Mesa duket tragjeditë e njëpasnjëshme me shqiptarët që humbin jetën në aksidente, nuk kanë mjaftuar për të sensibilizuar drejtuesit e mjeteve.
Një tjetër rast i rrezikshëm është shfaqur në rrugët e Durrësit, po në vendin ku u përplasën për vdekje 2 fëmijë të moshave 10 dhe 12 vjeç. Patrulla e policisë ishte njoftuar nga banorë të zonës për një drejtues që lëvizte me shpejtësi dhe në mënyrë të pakontrolluar në lagjen 17, në zonën e ish-Kënetës. Gjatë ndjekjes, në përpjekje për t’i shpëtuar policisë, ai ka lëvizur mbrapsht dhe ka përplasur mjetin e efektivëve.
Shoferi Rezart Abazaj, rezuloi i dehur në timon dhe u arrestua në flagrancë. Sipas verifikimeve, edhe më 5 mars Abazaj ishte arrestuar në gjendje të dehur pas një incidenti rrugor, por ishte lënë në masën “detyrim paraqitjeje” me vendim gjykate duke e rikthyer sërish në rrugë e vënė në rrezik për jetën banorët dhe punonjësit e policisë. Versus.al

