Një aksident i rëndë është regjistruar paraditen e sotme në minierën e Katjelit, në rrethin e Librazhdit, ku për fat të keq ka humbur jetën një punëtor. Burime për Versus.al thonë se viktima është një minator i moshës rreth 58 vjeç, i quajtur Sajmir Bego i cili sipas informacioneve paraprake, u zu poshtë nga një masiv gurësh gjatë punës në galeri.
Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të para të ditës, teksa minatori ishte duke kryer detyrat e tij të zakonshme në një nga hapësirat e nëndheshme të minierës. Menjëherë pas aksidentit, kolegët e tij tentuan ta nxirrnin nga rrënojat dhe njoftuan shërbimet e emergjencës, por fatkeqësisht, ai kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes për shkak të plagëve të rënda.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta të aksidentit. Ndërkohë, Inspektorati Shtetëror i Punës është lajmëruar për të kryer verifikimet për kushtet e sigurisë në të cilat operon kjo minierë.
Ky është një tjetër rast që ngre shqetësime serioze mbi sigurinë në vendet e punës, veçanërisht në sektorin e minierave, ku aksidentet fatale vazhdojnë të marrin jetë njerëzish. Familjarët dhe banorët e zonës janë tronditur nga lajmi i hidhur, ndërsa pritet që autoritetet të dalin me një qëndrim zyrtar në orët në vijim. /Versus.al/







