Në ditët e nxehta të gushtit, lëvizja përgjatë aksit rrugor Laç–Lezhë është kthyer në një sfidë të vërtetë për drejtuesit e automjeteve. Për të përshkuar vetëm 15 kilometra rrugë, sidomos gjatë fundjavave, udhëtarëve u duhen edhe orë të tëra pritjeje në kolonë.
Pika më problematike mbetet rrethrrotullimi i Fushë-Milotit, ku përqendrohet fluksi më i madh i mjeteve në të dyja drejtimet — si ato që vijnë nga Kosova ashtu edhe nga Tirana.
Situata është përkeqësuar ndjeshëm pas mbylljes së urës së vjetër mbi lumin Mat, e cila ka pësuar dëmtime serioze. Aksi i vjetër shërbente prej vitesh si rrugë alternative për të lehtësuar trafikun, por mungesa e tij ka sjellë përqendrim të madh mjetesh në rrugën kryesore.
Pritjet e gjata në trafik bëhen edhe më të vështira për shkak të temperaturave ekstreme, që në këto ditë kapin mbi 40°C. Shoferët dhe pasagjerët përballen me kushte të rënda, sidomos ata që udhëtojnë pa kondicioner ose me fëmijë e të moshuar.
Ndërkohë, Policia Rrugore ka vendosur patrulla në disa pika strategjike për të menaxhuar fluksin e automjeteve dhe për të shmangur bllokimet totale. Megjithatë, autoritetet parashikojnë se trafiku i rënduar do të vazhdojë deri në fund të gushtit, kur pritet të ulet fluksi i pushuesve që kthehen nga zonat turistike të bregdetit. /Versus.al






