Një punëtor shqiptar humbi jetën tragjikisht të shtunën në Greqi, pasi u rrëzua nga çatia e një shtëpie ku po punonte.
Sipas medias lokale stonisi.gr, viktima 45-vjeçare, i cili jetonte prej vitesh në Lesvos dhe njihej si person i dashur nga komuniteti, po kryente punime në çati në zonën e aeroportit kur ra nga një lartësi e konsiderueshme, në rrethana ende të paqarta.
Shqiptari punonte zakonisht në një restorant, por shpesh merrte edhe punë të dyta për të plotësuar të ardhurat — një prej të cilave rezultoi fatale.
Qendra e Punës në Mytilene lëshoi një deklaratë ku dënon incidentin dhe thërret për protestë sot, të dielën, në orën 12:00, në Sheshin Sappho.
Në njoftim theksohet se “pagat e ulëta, oraret e stërzgjatura dhe kostoja e lartë e jetesës detyrojnë mijëra punëtorë të marrin punë të dyta e të treta”.
Po ashtu, nënvizohet se “kjo vdekje tragjike tregon mungesën e masave të sigurisë dhe mbrojtjes në vendin e punës”, duke ia atribuuar përgjegjësinë politikave të qeverisë aktuale dhe atyre paraardhëse.
