Mesa duket, jugu i vendit këtë verë nuk ofron vetëm rërë të imët dhe ujëra kristal, por edhe një paketë të plotë “adrenalinash lokale”, që nga grushtet live në klubet e natës, deri tek goditjet me tytë pistolete në mes të qytetit.
Pushuesit nuk janë më thjesht turistë — janë spektatorë të një show realiteti, me skenar të improvizuar nga java në javë.
Në Ksamil, aty ku zakonisht shqetësimi më i madh është gjetja e një shezlongu bosh, më 19 korrik u transmetua një episod i ri: një pronar hoteli që rrihet në sy të klientëve. Qyteti i mirënjohur për ujin e pastër, këtë herë u përmbyt nga dhuna, dhe jo nga turistët.
Në Durrës, ku dikur sloganet turistike flisnin për “relaks buzë Adriatikut”, tanimë ofrohen shfaqje falas të tipit “konflikt për top plazhi”. Disa pushues vendosën të japin një leksion praktik mbi si trajtohet një punonjës i plazhit që “guxon” të kërkojë respektimin e rregullave. Se fundja, çfarë janë ligjet përpara të drejtës së pakundërshtueshme për të goditur një top mes shezlongëve?
Pogradeci, i njohur si qyteti i qetësisë, vendosi t’i japë vetes një tjetër dimension — "qetësi me ndërprerje". Kryeplaku dhe shefi i urbanistikës u dhunuan në mes të ditës nga një pronar hoteli dhe djali i tij. Më mirë që ndodhi, përndryshe vizitorët e huaj mund të mendonin se vendi është tepër monoton. Tani, me përfshirjen e përfaqësuesve të pushtetit vendor në sherr, qyteti siguron një lloj “pjesëmarrjeje gjithëpërfshirëse” në eksperiencën e verës.
Ndërkohë në Sarandë, qyteti që çdo sezon veror konkuron me Mykonos për bukuri, por me “Elbasanin e viteve ‘97” për siguri, vazhdojnë episodet e plagosjeve si në një serial pa fund. Rasti më i fundit: një ish-polic, i goditur me tytën e një pistolete. Sepse, çfarë është më simbolike për një qytet turistik sesa një armë që shkrepet “pa dashje” në ajër?
Dhe nëse dikush kishte ndonjë shpresë për një mbrëmje relaksuese buzë detit, në lokalin ““Lollipop” u përkujdesën të zhdukin çdo iluzion. Një përleshje masive, shishe që fluturojnë, grushte në stil WWE, e mbase dhe ndonjë krismë armësh — nuk jemi të sigurt nëse ishte një festë, një luftë civile e vogël apo një skenë nga një film i keq aksioni.
Në këtë realitet paralel ku turizmi përzihet me tensionin, “paketa turistike” shqiptare duket se po përfshin gjithçka: peizazh, mikpritje, dhe si bonus – një ndjenjë e lehtë frike./Versus.al







